Morina: Grupi i Radojçiqit kishte për qëllim aneksimin e veriut të Kosovës
BKT
Lajme

Morina: Grupi i Radojçiqit kishte për qëllim aneksimin e veriut të Kosovës

F.S / RTKlive

Refki Morina, nënkolonel në pension i Policisë së Kosovës, i ftuar në “Lajmet e Fundit” në RTK, duke e komentuar njëvjetorin e rënies së Heroit Afrim Bunjaku dhe sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, ka thënë se ky grup ka pasur për qëllim aneksimin e veriut të vendit.

Madje, sipas tij, ky grup e ka zgjedh Banjskën si vend strategjik dhe manastirin e Banjskës që të preken pelegrinët dhe të fajësohet pala Kosovare.

“Duke e parë Banjskën si një vend strategjik terroristët tashmë e kishin zgjedhur që të veprojnë e gjithashtu edhe Manastirin në Banjskë. Përgatitjet në territorin e Serbisë nga grupi terrorist në bazë të dokumenteve dhe argumenteve shihet që e kanë filluar qysh herët. Krejt ai armatim i gjetur më pastaj në Banjskë ka ardhur në mënyre ilegale”, ka thënë Morina.

Sipas tij, që nga 2017 ata kanë filluar trajnimet e veta në Serbi nga Radojqiq me grupin e tij.

“Ky grup që nga fillimi ka pasur një strategji të veprimit dhe të aneksimit të pjesës veriore të Kosovës, por edhe nxitjen e qytetarëve serb atje, që përmes civilëve të paraqitën si viktima, kinse Institucionet e Kosovës po bëjnë mbi popullatën atje, duke i viktimizuar”, tha ai.

Megjithatë, Morina tha se duke ju falënderuar vigjilencës së Policisë së Kosovës dhe daljes së tyre aq shpejt në vendngjarje terroristët dështuan.

“Atë ditë edhe Afrim Bunjaku ka dalur në patrullim kur ky i fundit e pësojë nga terroristët. Mobilizimi u bë shpejtë i i të gjitha njësive të policisë dhe kështu nuk është lejuar nga njësitë e përshtatshme speciale të Kosovës që terroristet ta kryejnë misionin e vet të cilin e kanë pas ata”, tha Morina.

Gjithashtu ai tha se qëllimi i grupit terrorist, kryekëput ka qenë që Policia e jonë të shtije në Manastir dhe në civil në mënyrë që të bëhet propagandë që institucionet e Kosovës po i sulmojnë objektet fetare. “Fatmirësisht njësitet speciale të Kosovës nuk ranë pre dhe u shpartallua grupi terrorist i Radojçiqit”, tha Morina.


MË SHUME NGA Lajme