Vengu: Mirëpresim vendimin e NATO-s për shtimin e trupave në Kosovë
BKT
Shqipëri

Vengu: Mirëpresim vendimin e NATO-s për shtimin e trupave në Kosovë

ATSH

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, priti në një takim të veçantë të dërguarin special të Mbretërisë së Bashkuar në Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, i cili erdhi në Shqipëri, në kuadër të Stërvitjes së Përbashkët “Austere Wolf – 24”.

Ministri Vengu dhe Stuart Peach vlerësuan maksimalisht ndërveprimin mes trupave shqiptarë dhe britanikë në stërvitjen “Corridor VIII Response”.

Gjatë bisedës me zyrtarin e lartë britanik ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu diskutoi rreth situatës së sigurisë në rajon përfshirë edhe veriun e Kosovës, për të cilën Shqipëria, jo vetëm mirëpret vendimin e Aleancës për shtimin e trupave atje, por edhe ka rritur praninë e ushtarakëve shqiptarë në misionin e KFOR-it.

Sipas ministrit të Mbrojtjes, “… si vend anëtar i NATO, pozicioni i privilegjuar gjeografik i vendit tonë na angazhon për të investuar më tej në infrastrukturën mbështetëse për Aleancën”.

Ministri Vengu theksoi gjatë bisedës me zyrtarin e lartë britanik se, “në Korridorin VIII po punohet intensivisht në disa lote, për të vijuar më tej me projektin madhor të portit në Porto Romano, një pjesë e të cilit do të jetë i dedikuar për përdorim ushtarak”.

Po ashtu, ministri Vengu e njohu Lord Peach me hapat që Shqipëria ka ndërmarrë për rijetësimin e Industrisë Ushtarake, duke ftuar për investim dhe bashkëpunim çdo agjenci apo kompani britanike.

 


MË SHUME NGA Shqipëri