Përfundon seanca e Kuvendit, nuk ka kuorum për votimin e projektligjeve
BKT
Lajme

Përfundon seanca e Kuvendit, nuk ka kuorum për votimin e projektligjeve

V.Thaçi / RTKlive

(E plotësuar) Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, njoftoi se, në mungesë të kuorumit, seanca e Kuvendit për ditën e sotme ka ndërprerë punimet, për të vazhduar në javën e ardhshme. Në seancën e sotme të Kuvendit po ashtu nuk u miratua as pika e dhjetë e rendit të ditës, Projektligji për Zyrtarët Publikë, kjo në mungesë të kuorumit, gjë që çoi në ndërprerjen e seancës për ditën e sotme.

Kreparlamentari Konjufca njoftoi se në mungesë të kuorumit seanca e Kuvendit për ditën e sotme ka ndërprerë punimet, për të vazhduar në javën e ardhshme.

"Me sa po kuptoj gjendjen e brenda grupit të mazhorancës, së paku tre deputetë nuk do të votojnë asgjë si projektligj, kështu që Kuvendi nuk ka kuorum për të vazhduar. Caktojmë ndonjë seancë tjetër në javën e ardhshme”, tha Konjufca.

Nuk kalon votimi i kandidatëve të Këshillit për Trashëgimi

Deputetja e LDK-së Vlora Dumoshi, në seancën e sotme plenare, në emër të grupit parlamentar tha se në përzgjedhjen e kandidatëve për Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore ka shkelje dhe nuk ka përzgjedhje sipas kritereve të konkursit, dhe se janë përzgjedhur militantët partiak.

Dumoshi shtoi se grupi parlamentar i LDK-se mendon se procesi duhet të kthehet në pikën zero. Sipas saj komisioni ka pranuar tri ankesa për këtë përzgjedhje dhe se asnjëra nga to nuk është shqyrtuar.

Kuvendi nuk kishte kuorum për votimin e anëtarëve të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore.

Gjithashtu në mungesë të kuorumit pika e nëntë e rendit të ditës, që ka të bëjë me projektligjin për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor, nuk u miratua.

Në seancë nuk u  votua as Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit, për programin e parë për “Financimin e  politikave zhvillimore për efektivitetin fiskal, konkurrueshmërinë dhe rritjen e gjelbër” me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim.

Në mungesë të kuorumit, ka dështuar të ratifikohet edhe amendamenti i Marrëveshjes për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe organizatat e grupit të Bankës Botërore.

Nis seanca e Kuvendit |LIVE

Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën plenare, në rend dite janë 28 pika, ndër të cilat edhe Themelimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, prej tyre, një nga komuniteti shqiptar dhe një nga komuniteti serb, si dhe ajo për Emërimin e shtatë anëtarëve të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore.

Ardian Gola, kryetar i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, tha se në bazë të neneve dhe rregulloreve për trashëgiminë kulturore  kane intervistuar kandidatët për Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore (KKTK). 

Gola paraqiti në kuvend rekomandimin që të bëjë emërimin e shtatë anëtarëve Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore në përbërje prej:

Artan Krasniqi

Fahri Sheqiri

Besarta Reqica

Sin Salla

Zanida Halimi

Arianit Buqinca

Sllazhana Boshkoviq


MË SHUME NGA Lajme