Haxhiu: Kosova ndihmoi Danimarkën kur ajo kishte nevojë
BKT
Foto: Valjeta Shala
Lajme

Haxhiu: Kosova ndihmoi Danimarkën kur ajo kishte nevojë

Valjeta Shala /RTK

(E plotësuar) Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, së bashku me homologun e saj nga Mbretëria e Danimarkës, ministrin e Drejtësisë, Peter Hummelgaard, vizituan Qendrën e Paraburgimit në Gjilan, ku do të do të vendosen 300 të burgosurit nga Danimarka.

“Mendoj që në kohën kur Danimarka ka pasur nevojë për Republikën e Kosovës, ka qenë shumë e rëndësishme duke pasur parasysh kapacitetet e lira që i kemi ne, si institucione, që t’ia ofrojmë këtë ndihmë. Si Qeveri dhe si Ministri e Drejtësisë,  kemi qenë të angazhuar së bashku me shërbimin korrektues që ta bëjmë këtë. Tashmë janë ndarë fondet për renovimin e këtij institucioni për punëtorinë që do të mbahen,  me qëllim që të dënuarit  të angazhohen me punë gjatë kohës që do të qëndrojnë këtu. Po ashtu, është nënshkruar sot edhe kontrata se si do të projektohet ky institucion“, tha ministrja Haxhiu.

Ndërsa ministri i Drejtësisë së Danimarkës, Peter Hummelgaard, është shprehur  i lumtur për bashkëpunim mes qeverive, teksa ka falënderuar për mbështetjen e partive opozitare të Kosovës që i kanë dhënë marrëveshjes për burgjet me Danimarkën.

“Jemi të kënaqur ku kemi arritur. Sot është nënshkruar kontrata që do të rinovojë objektin në Gjilan. Kemi pasur takime edhe në nivel teknik për hollësitë teknike për trajnimin e zyrtarëve korrektues të Kosovës në Danimarkë, që do të punojnë në objektet në kudër të përgjegjësisë së shtetit danez. Jemi të lumtur me këtë bashkëpunim mesë qeverive dhe jemi falënderues për mbështetjen e partive opozitare të Kosovës që kanë votuar këtë marrëveshje”, tha ai.

Haxhiu dhe Hummelgaard diskutuan zbatimin e marrëveshjes për burgun

V.Thaçi / RTKlive

Ministria e Drejtësisë njofton se sot, Ministrja Albulena Haxhiu, është takuar me homologun e saj, ministrin danez Peter Hummelgaard, ku kanë diskutuar përparimin në zbatimin e marrëveshjes së bashkëpunimit për burgun e Kosovës, pas ratifikimit të Traktatit mes dy vendeve.

Sipas njoftimit në kuadër të kësaj marrëveshjeje, janë transferuar 5 milionë euro për renovimin e burgut dhe ndërtimin e punëtorive të reja, një projekt i cili do të përfundojë brenda 18 muajsh.

“Projekti për renovimin e burgut dhe ndërtimin e infrastrukturës është hartuar nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, i cili tashmë ka nënshkruar kontratën për hartimin e specifikave teknike. Gjatë kësaj periudhe, përveç punimeve infrastrukturore, do të trajnohet stafi aktual dhe do të rekrutohet stafi i ri, sipas nevojave të përcaktuara në marrëveshje”, njofton Ministria.

Tutje thuhet se ministrat kanë theksuar rëndësinë e Komitetit të Përbashkët Drejtues, i cili do të mbikëqyrë zbatimin e plotë të marrëveshjes, duke siguruar përmbushjen e standardeve për menaxhimin e burgut dhe përkujdesjen ndaj të burgosurve.

“Marrëveshja Bashkëpunuese ndërmjet dy vendeve do të finalizohet pas përfundimit të punëve teknike dhe do të rishikohet dy herë në vit”, thuhet në njoftim.

Po ashtu të dy ministrat shprehën mirënjohje për njëri-tjetrin dhe ndaj ekipeve punuese, si dhe theksuan rëndësinë e implementimit të punëve sipas afateve të përcaktuara.


MË SHUME NGA Lajme