Osasuna i jep leksion Barcelonës
Uran Krasniqi/RTKLive
Osasuna i ka dhënë një leksion futbollistik Barcelonës gjatë mbrëmjes së të shtunës. Skuadra e drejtuar nga Vicente Moreno e ka mposhtur bindshëm atë të drejtuar nga Hansi Flick.
Në ndeshjen e vlefshme për Javën e tetë të La Liga, e cila është zhvilluar në stadiumin "El Sadar", Osasuna ka arritur të ngadhënjejë me rezultat 4-2.
Skuadra vendase pavarësisht se nuk e ka poseduar më shumv topin, ka rezultuar të jetë më konkrete me rastet që i ka krijuar dhe në fund ka dalur nga fusha triumfuese.
Ante Budimir ka qenë figura qendrore për Osasuna, duke shënuar dy herë, në minutën e tetëmbëdhjetë dhe të shtatëdhjetë e dytë. Zaragoza ka shtuar një tjetër gol në minutën e njëzet e tetë, ndërsa Bretones e ka vulosur fitoren në minutën e tetëdhjetë e pestë.
Pavarësisht përpjekjeve të Barcelonës, që ka shënuar dy gola, një nga Victor në minutën e pesëdhjetë e tretë dhe një tjetër nga Yamal në kohën shtesë, kjo nuk ka mjaftuar për ta shmangur humbjen.
Megjithëse e ka humbur ndeshjen e sontme, të parë në këtë edicion, Barcelona vazhdon ta kryesojë tabelën e La Liga me njëzet e një pikë. Ndërkohë, Osasuna, edhe pse ka fituar sonte, qëndron në vendin e gjashtë me pesëmbëdhjetë pikë.























