SBASHK-u dorëzon peticionin për ndryshimin e Ligjit për skemat pensionale
BKT
Foto: Edina Avdiu / RTK
Lajme

SBASHK-u dorëzon peticionin për ndryshimin e Ligjit për skemat pensionale

E. Avdiu/V.Thaçi / RTKlive

( E përditësuar 10:48) Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës ka dorëzuar peticionin për ndryshimin e Ligjit për skemat pensionale në Kuvendin e Kosovës. Me këtë SBASHK-u synon adresimin disa prej sfidave që përballen punonjësit e arsimit dhe sektorëve të tjerë publikë që përfitojnë nga skemat pensionale, duke kërkuar ndryshime në përfitimet e pensionistëve.

Konjufca priti në takim SBASHK-un dhe pranoi nismën legjislative

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.

“Në bazë të Ligjit për nisma legjislative, kryetari Konjufca pranoi në mënyrë solemne nismën legjislative të nënshkruar nga qytetarë, me propozimin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti, të dorëzuar nga përfaqësues të SBASHK-ut”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Jashari: Presim që deputetët e pozitës dhe opozitës ta votojnë nismën tonë

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, pas dorëzimit të peticionit deklaroi se kryeparlamentari Glauk Konjufca u ka premtuar se brenda kompetencave të tij do të angazhohet që kjo nismë qytetare me kohë të shkojë te organet gjegjëse dhe sa më shpejtë të kalojë në parlament.

“Kryeparlamentari na ka përgëzuar për angazhimet që i kemi bërë, duke e vlerësuar si punë të madhe mbledhjen e këtyre nënshkrimeve. Ne jemi të sigurt që deputetët e pozitës dhe opozitës do ta votojnë këtë nismë, ngase kemi biseduar me shefat e Grupeve Parlamentare dhe nga të gjithë kemi marrë mbështetje. Pra, po e bëjmë një gjë për të mirën e një shtrese që është e ndjeshme dhe ka nevojën për mbështetje nga shteti dhe ne, pra për pensionistët dhe shpresojmë që vitet e 90-ta do t’iu kthehen si e drejtë e garantuar punëtorëve të arsimit që nga çerdhet deri në universitet, por ne po angazhohemi edhe për ata që janë dëbuar dhunshëm nga puna”, tha Jashari.

Ai ka thënë se pjesë e këtij projektligji është që qeveria dhe parlamenti t’i njohin edhe vitet 2000 e 2001 deri në korrik të vitit 2002 si kontributdhënës, deri kur filloi së funksionuari Trusti Pensional.

Jashari u shpreh i sigurt që deputetët do ta përmirësojnë gabimin e bërë më herët dhe punëtorët e arsimit do t’i gëzojnë vitet e 90-ta e deri në vitin 2002 si kontributdhënës.

Ai tha se pas dhjetëra viteve që për një javë apo dy punëtorët s’kanë mundur ta arrijnë kriterin e deritashëm të 15 vjetëve përvojë për pensionin e merituar të punës, duke ngelur me pensionin e pleqërisë, tani e tutje beson se do ta gëzojnë një gjë të tillë.

SBASHK-u dorëzon sot nënshkrimet për Projektligjin për skema pensionale

Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës do të dorëzojë sot në Kuvendin e Kosovës nënshkrimet dhe shkresat tjera përcjellëse të nismës për miratimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti.

Dorëzimi i nënshkrimeve do të bëhet tek Kryeparlamentari Glauk Konjufca, në orën 10:00.

“Ju informojmë se të hënën, më 30 shtator, në orën 10 e 30, do të jemi te Parlamenti i Kosovës për t’ia dorëzuar në mënyrë solemne 20.458 nënshkrimet dhe shkresat tjera përcjellëse të nismës qytetare për miratimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04L-131 për skemat pensionale të financuara nga shteti, të ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 08L- 248, kryetarit të Kuvendit të Kosovës,  Glauk Konjufca dhe anëtarëve të Kryesisë së Kuvendit”, thuhet në njoftim.


MË SHUME NGA Lajme