Fillon mësimi gjithëditor në dy shkolla fillore të Prishtinës |VIDEO
Edina Avdiu /RTK
Mësimi gjithëditor ka filluar të hënën në shkollat fillore “Faik Konica” dhe “Xhemajl Mustafa”, në kryeqytet. Ky model i mësimit është mirëpritur nga nxënësit dhe mësimdhënësit. Nisjen e mësimit gjithëditor shkoi për ta parë nga afër kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Ndërsa në shkollën “Nazim Gafurri”, mësimi gjithëditor nuk filloi sot, siç ishte planifikuar, për shkak të lagështisë, që shkaktuan reshjet e shiut.
Për herë të parë nxënësit e shkollës fillore “Faik Konica”, në kryeqytet, po mbajnë mësimin gjithëditor.
Nga sot e tutje, mësimdhënia nuk do të kufizohet vetëm me libra. Gjatë ditës, pjesë të procesit mësimor do të jenë edhe shumë aktivitete e lojëra edukative.
Interesimi i nxënësve për këtë formë të re të mësimnxënies duket se nuk mungon.
“Na po e mbajmë aktivitetin lojërat matematikore. Mua po më pëlqejnë shumë aktivitetet në shkollë. Shumë më ka pëlqyer, kam ngrënë oriz, sallatë, mollë edhe bukë”, tha Diell Shatrolli, nxënës.
Në anën tjetër, mësimdhënësit vlerësojnë se ky model i mësimit do të ndikojë pozitivisht te nxënësit.
“Kjo po besoj që ka për ta bërë shkollën shumë të dashur për fëmijët. Ata nuk kanë për të ardhur më me idenë vetëm për t’i pasur çantat dhe librat dhe për të dëgjuar mësimdhënësin, por, përmes aktiviteteve ekstrakurikulare, kanë për të pasur mundësinë që, përmes lojërave, të jenë sa ma afër mësimeve”, tha Besnik Shabiu, mësimdhënës.
Nisjen e mësimit gjithëditor shkoi për ta parë nga afër kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
“Ishte një atmosferë me të vërtetë fantastike. Ishin të gjithë nxënësit e entuziazmuar dhe shpresojmë që të vazhdojmë në të gjithë territorin e Prishtinës. Planifikimet janë bërë, por na duhet investime të tjera për shkollat e reja. Transformim në kryeqytet në edukimin arsimor në shkollat fillore dhe të mesme do të jetë një element që do ta marrë e gjithë Kosova, me një sistem fantastik për fëmijët tanë për të ardhmen tonë”, tha Rama.
Mësimi gjithëditor të hënën filloi edhe në shkollën “Xhemaj Mustafa” në kryeqytet, por jo edhe në shkollën “Nazim Gafurri”, siç ishte planifikuar.
“Shtrimi i pllakës ka pasur nevojë të teret pak më shumë, sepse ka pasur lagështi për shkak të reshjeve, ndaj i kemi dhënë kohë dhe kemi marrë bashkërisht vendimin me prindërit”, tha Jehona Lushaku, drejtoreshë e Arsimit në Prishtinë.
Në këtë shkollë, mësimi tërëditor pritet të fillojë të hënën, në javën që vjen.























