Gërvalla: Kosova mbetet e përkushtuar për të forcuar marrëdhëniet kyçe
V.Thaçi / RTKlive
(E përditsuar) "Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për të forcuar marrëdhëniet kyçe dhe për të siguruar paqen dhe stabilitetin e plotë në Ballkanin Perëndimor". Kështu ka deklaruar ministrja e Jashtme Donika Gërvalla në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme në kuadër të Procesit të Berlinit.
Në këtë takim, me ftesë të ministres së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka theksuar se bashkëpunimi rajonal është kyç për përparimin e rajonit, jo vetëm në aspektin e partneritetit, por për gjithë procesin e Ballkanit Perëndimor.
Sipas komunikatës për media, Gërvalla ka theksuar se përparimi drejt integrimit evropian kërkon përmbushjen e angazhimeve të marra në kuadër të Procesit të Berlinit, me fokus në katër marrëveshjet të cilat mundësojnë katër liritë themelore të BE-së, lirinë e lëvizjes së njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit.
"Implementimi i këtyre marrëveshjeve nga të gjitha shtetet do të sjellë përfitime të prekshme për qytetarët dhe do të ndihmojë në stabilizimin e rajonit", ka thënë ajo.
Në një nga seancat e konferencës së sotme ishte i pranishëm edhe Kryetari i Komitetit Rajonal të Rrjetit Rajonal të Shoqatave të Familjeve të Personave të Zhdukur nga ish-Jugosllavia, Haki Kasumi.
Ai iu bëri thirrje ministrave të pranishëm të ofrojnë mbështetje për zbardhjen e fatit të 11,000 personave ende të zhdukur, një plagë e hapur për familjet e tyre.
"Rikthimi i identiteteve të viktimave dhe përmbushja e të drejtës së familjeve për të ditur fatin e të dashurve të tyre është një parakusht për sigurinë dhe prosperitetin në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë," tha Kasumi.
Pas fjalës së Kasumit, gjatë ndërhyrjes së saj, Gërvalla bëri thirrje që urgjentisht të hapen arkivat dhe të mbyllet kjo plagë e hapur për familjet e personave të zhdukur me dhunë.
Gërvalla në Gjermani: Do të paraqes qëndrimet tona për Procesin e Berlinin
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka bërë të ditur se është duke marrë pjesë në takimin e thirrur nga homologia e saj gjermane, Annalena Baerbock.
Gërvalla ka deklaruar se në këtë takim, do të paraqes qëndrimet e Republikës së Kosovës në lidhje me Procesin e Berlinit
Sipas njoftimit të saj në faqen zyrtare në Facebook, aty pjesëmarrës janë edhe ministrat e tjerë të shteteve të Ballkanit Perëndimor.























