Salihu-Bala: Ideja që të bëhet diçka për të mbijetuar solli 1 tetorin 97-të
BKT
Lajme

Salihu-Bala: Ideja që të bëhet diçka për të mbijetuar solli 1 tetorin 97-të

V.Th. RTKlive

Sot janë mbushur 27 vjet nga protestat e Lëvizjes Studentore që u mbajtën më 1 tetor 1997. Lëvizja Studentore e atëhershme organizoi protesta në cilat u kundërshtua pushtimi i Kosovës nga Serbia dhe u kërkua kthimi i studentëve në objektet universitare, nga ku ata ishin dëbuar nga regjimi i Slobodan Millosheviqit në fillim të viteve të 90-ta.

Në “RTK Prime” për këtë protestë studentore flasin Mihane Salihu-Bala, Mimoza Bujupi-Dugolli dhe Remzije Shahini-Hoxha.

Mihane Salihu - Bala, ish-aktiviste e grupit Gratë në të Zeza prej vitit 1997, tha se nevoja për të ndryshuar dhe mbijetuar, është ajo që e kthen sot, 27 vjet më pas.

“Dëshira për të mbijetuar dhe për të plotësuar një nevojë elementare, siç është e drejta elementare e e arsimit dhe shkollimit në gjuhën shqipe. Duke i parë rrethanat që ishin shumë më ndryshe ne nuk flasim vetëm për datën 1 tetor, si fillim të këtij rrugëtimi tonë por flasim për kohën muajt, vitet paraprake të gjithë atyre ngjarjeve, të asaj që ka ndodhur gjatë viteve të 90-ta, kur studentët shqiptarë të Universitetit të Prishtinës mbetën pjesë e sistemit paralel të shkollimit në atë kohë dhe shkollimin arsimimin tonë e bënim nëpër shtëpitë tona”, tha Salihu-Bala.

Ajo thotë se ideja që të bëhët diçka ishte e mëhershme dhe ajo ishte të fillohet me diçka më të vogël, që mund të realizohet, sepse po flitet për një kohë kur Kosova ishte nën regjimin e Millosheviqit, kur situata në rajon ishte shumë e trazuar.

Mimoza Bujupi-Dugolli, ish- aktiviste dhe studente, tha se ajo kohë ka qenë e jashtëzakonshme dhe shumë e vështirë dhe se krejt shkollimin e kanë kryer me sfida.

Bujupi-Dugolli thotë se qysh si fëmijë janë solidarizuar me protestat e minatorëve, e ngjarjeve të asaj kohe e më pas edhe në protestat e studentëve. Kjo, sipas saj, ka qenë një formë e jetesës normale për atë kohë.

Ajo thotë se ishin vite të rënda edhe për faktin se prindit ishin larguar nga puna, me masat e jashtëzakonshme si thuhej atëherë, por përkundër gjendjes së rëndë kanë organizuar protestat.

“Ishte ëndërr e jona se si të kthehemi në shkollat tona në objektet shkollore. Shkollimin e kryem me sfida të rënda, ka qenë periudhë shumë e vështirë”, thotë Bujupi-Dugolli.

Kurse Remzie Shahini-Hoxha, ish-studente dhe aktiviste e atyre viteve, kujton se ditën e parë të protestave e ka filluar me idenë se si të maskohet deri lagjja Velani ku organizohej protesta që mos me u ndalu nga policia gjatë rrugës.

Ajo, tregon se nuk ka qenë fare e lehtë të dilet në rrugë dhe të protestohet para një policie brutale dhe të pamëshirshme.

Shahini-Hoxha nga sot ka marrë detyrën si Prodekane e Fakultetit Filologjik dhe shprehet se sot për atë ka qenë një ditë shumë e rëndësishme, sepse ajo ka ëndërruar një ditë të tillë, që para 27 viteve nuk e kishte imagjinuar që do të kenë objekte shkollore ashtu dhe nuk do të ketë përndjekje nga askush.

Si aktiviste ajo tregon se ditën e 1 tetorit ka qenë e angazhuar si mbajtëse e rendit dhe vëzhguese.


MË SHUME NGA Lajme