Kurti: Evropa dhe mbarë bota demokratike kanë nevojë për fitoren e Ukrainës
G.K/RTKlive
Në një intervistë dhënë për UNIAN, kryeministi Albin Kurti ka folur për ndihmën që Kosova i ka dhënë Ulrainës dhe mundësinë e bashmëpunimit ndërmjet të dyja vendeve. Po ashtu, ai ka folur edhe për përvojën e Kosovës, si një vend që ka përjetuar luftën, e se si kjo pwrvojw mund ta ndihmojë Ukrainën. Kurti ka përmendur arsyet, pse sipas tij Rusia është e rrezikshme për fqinjet e saj dhe pse fitorja e Ukrainës është e nevojshme për Evropën.
"Ne ndjekim ngjarjet në Ukrainë sepse jemi të tmerruar nga agresioni ushtarak i paligjshëm, i paprovokuar, i pajustifikuar dhe pushtimi i Ukrainës. Ne ndjekim Ukrainën sepse duam që Ukraina të fitojë. Dhe fitorja për Ukrainën do të thotë çlirim i të gjithë territorit të saj, paqe dhe siguri për të gjithë qytetarët e saj, sovranitet shtetëror dhe të drejta të njeriut për të gjithë. Ukraina është një vend demokratik dhe lufta e Ukrainës është lufta për demokraci me të cilën ne identifikohemi", ka thënë Kurti.
Tutje ai ka thënë se fillimi i luftës në Ukrainë në shkurt të vitit 2022 ka ndikuar në gjendjen sociale dhe psikologjike në popullin e Kosovës, sepse trauma e më shumë se dy dekadave më parë është kthyer në vetëdijen e popullit.
Ndërkohë duke folur për mbështetjen politike të Kosovës ndaj Ukrainës, Kurti ka thënë se ka të bëjë me efektin e mundshëm të përhapjes së kësaj lufte në Ballkan. "Sepse ne imagjinojmë se Rusia me siguri ka plane për të zgjeruar luftërat që po bën, duke përfshirë rajonin tonë ballkanik", ka thënë ai.
Duke folur për përvojën e Kosovës, Kurti pati disa këshilla për popullin ukrainas që të kenë kujdes, sidomos në privatizimin.
“Bazuar në përvojën tonë, unë kam një supozim se pas luftërave shkatërruese, ka gjithmonë një kërkesë për privatizim në shkallë të gjerë dhe ju duhet të kuptoni se kjo qasje mund t’ju shkatërrojë ekonomikisht. Kujdes nga korporatat e mëdha që duan të blejnë potencial zhvillimi – objekte prodhimi, tokë ose burime të tjera shumë lirë – sepse jeni të shkatërruar”, thotë Kurti.
Ai thotë më tej se kur njerëzit janë shumë të etur për investime, kjo mund të abuzohet.
Ndërsa së dyti, ai këshillon ukrainasit që t’i koordinojnë aktivitetet e donatorëve në vend dhe të rregullojnë grantet që marrin. “Duhet të kesh programin tënd me strategji, projekte, aktivitete dhe pastaj t’u thuash donatorëve çfarë të duhet, kërkesa duhet t’i paraprijë ofertës dhe jo anasjelltas”.
Ndërkohë i pyetur nga gazetari ukrainas se si mund të jetohet me një “fqinj që dëshiron të të vras”, pra për afërsinë gjeografike mes Kosovës e Serbisë, Kurti tha se një fqinj i pakëndshëm duhet të qëndrojë në shtëpinë e tij.
“Ne nuk mund ta ndryshojmë historinë, nuk mund të ndryshojmë gjeografinë, por mund të kemi një të ardhme më të mirë. Nuk ka dyshim se Ukraina do të ketë nevojë për një ushtri të fortë edhe pas çlirimit dhe askush nuk do të jetë në gjendje të ndihet i sigurt derisa Rusia të bëhet një demokraci. Kjo do të thotë se ajo mund të bëhet një republikë ose federatë republikash dhe jo një perandori e shekullit të 18-të”.
“Ju nuk mund të flini mirë nëse fqinji juaj dëshiron të jetë një perandori. Dhe ky është një problem që e kemi edhe me Serbinë. Ky vend quhet republikë, por po ta shikosh me vëmendje, sillet dhe vepron si një monarki, ku presidenti ka shumë pushtet për të respektuar të drejtat e njeriut, pluralizmin dhe të gjitha ligjet”, ka deklaruar mes tjerash kryeministri Kurti.























