Kurti: Po shohim mundësinë që në Leposaviq të bëhet një maternitet
V.S|RTKlive
Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e qeverisë, ka thënë se ka qëndruar në Leposaviq, së bashku me ministrin Arben Vitia dhe drejtorin e Klinikës së Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj. Në këtë komunë është edhe mamografi mobil, i cili u mundëson vajzave e grave parandalimin e diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit.
“Kujtojmë që ky muaj shënon edhe tetorin rozë si thirrje për ngritjen e vetëdijes për rrezikun e kancerit të gjirit, ku vetë kontrollet, vizitat mjekësore e mamografia duhet të bëhen pjesë e rutinës, sepse janë të rëndësishme në zbulimin e hershëm të kësaj sëmundje”, tha kreu qeveritar.
Kurti ka bërë të ditur se gjatë qëndrimit në Leposaviq me ministrin Vitia kanë parë nga afër një objekt, një ndërtesë për ta vlerësuar mundësinë e kthimit të saj në maternitet që do t’i plotësonte nevojat e grave nga Leposaviqi.
“Ne pamë nga afër një objekt, një ndërtesë për ta vlerësuar mundësinë e kthimit të saj në maternitet që do t’i plotësonte nevojat e grave nga Leposaviqi në mënyrë që ato të mos kenë nevojë ta kalojnë kufirin dhe të udhëtojnë me dhjetëra kilometra deri në Novi Pazar ku pastaj po ia regjistrojnë foshnjët si banorë të Serbisë”, theksoi kryeministri.
Shefi i qeverisë në mbledhjen e 223-të, tha se java nisi me një lajm shumë të mirë për pensionistët.
“Duke filluar nga ky muaj do të zbatohet rritja për 20 për qind për disa kategori të pensionistëve derisa nga janari i viti 2025 do të ketë rritje edhe pensionet e përcaktuara me Ligjin për Kategoritë e Luftës”, theskoi ai.
Sipas tij, puna për rritjen e mbështetjes së pensionistëve nuk ka mbaruar me kaq.
“Ajo vazhdon edhe më tej, konkretisht me punën tonë drejt finalizimit të Reformës Pensionale e cila do të sigurojë që ata e ato që kontribuuan më së shumti për këtë vend të kenë trajtimin përkatës e të dinjitetshëm”, tha ai.
Kryeministri theksoi se gjatë këtij mandati qeverisës tash kur kanë hyrë në 6 mujorin e fundit, pensionet, si ai bazik është rritur nga 90 në 120 euro ndërkaq në anën tjetër 4 herë tha se kanë mbështetur me shumë të njëhershme nga 100 euro pensionistët.
“Të gjitha këto rritje janë bërë për të zbatuar programin tonë në frymën e vlerës së tij që ata që kanë më së shumti nevojë të iu ndihmojmë më së pari”, theksoi ai.
Kurti tha se Reforma Pensionale do të bëhet në një të ardhme të afërt, siç tha në mandatin e ardhshëm qeverisës.























