Zeka: Zhbllokimi i CEFTA-së dëshmi kur palët kanë vullnet për kompromis
BKT
Lajme

Zeka: Zhbllokimi i CEFTA-së dëshmi kur palët kanë vullnet për kompromis

E. Hoti / RTKlive

Për zhbllokimin zyrtar të Marrëveshjes së Tregtisë të Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA),ka folur Arian Zeka, drejtor ekzekutiv i Odes Amerikane në Kosovë. Ai në emisionin “Info plus”të RTK-së tha se ky është një hap përpara dhe si tillë duhet të përshëndetet.

“Mendoj që është dëshmia më e mirë kur palët e përfshira në një proces kanë vullnetin për kompromis, atëherë natyrisht rezultatet pozitive nuk do të mungojnë. Për kompromis e pata fjalën për vendimin e qeverisë së Kosovës për të zbutur masën e sigurisë dhe për të lejuar importin e mallrave nga Serbia pas më shumë se 14 muajsh dhe në anën tjetër kompromisin e Serbisë që të pranojë UNMIK-un që deri tani përfaqësonte Kosovën në Marrëveshje për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore CEFTA ta zëvendësojë Kosovën”, tha Zeka.

Gjatë kësaj interviste, Zeka tha se lajmi i keq është se përfaqësimi vazhdon të bëhet me fusnotë. “Sa për të bërë një paralele me nismën tjetër të tregut të përbashkët rajonal të Ballkanit të Hapur të cilën siç dihet Oda Ekonomike Amerikane e ka mbështetur si iniciativë, aty është menduar që Kosova të përfaqësohej pa fusnotë, me emrin e saj kushtetues dhe me simbole zyrtare të shtetit tonë.Megjithatë, ky është një hap përpara dhe si tillë duhet të përshëndetet”, tha ai tutje.

Megjithatë përtej emrit dhe përtej përfaqësimit që tashmë do të bëhet në CEFTA direkt nga përfaqësuesit e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe të Kosovës në përgjithësi, Zeka tha se Serbia duhet të ballafaqohet me një presion tjetër në ditët në vijim.

“E ky është ai i njohjes së plotë të dokumentacionit zyrtar të cilin e lëshojnë autoritetet e Kosovës dhe heqjen e të gjitha barrierave jo tarifore, barrierave administrative me të cilat prodhuesit kosovarë ballafaqohet tash e sa vite. Është e pamundur për ndonjë produkt që përmban deklaracionin produkt i Kosovës të eksportohet në Serbi dhe të përfundojë nëpër raftet e dyqaneve atje meqenëse Serbia deri tani parashtronte barriera të ndryshme dhe kërkonte që në deklaracione të shkruhej si produkt i UNMIK-t , produkt i qyteteve të Kosovës që është absolutisht banal”, tha tutje Zeka .

Ai tha se beson që presionin e ngjashëm që e kanë pasur autoritetet e Kosovës edhe nga Gjermania dhe shtetet tjera gjatë muajve të kaluar, tashmë të bartet në terrenin e Serbisë, dhe i njëjti të ushtrohet ndaj tyre, por edhe ndaj autoriteteve të Bosnjës dhe Hercegovinës të cilat ngjashëm pengojnë promovimin e katër lirive në kuadër të procesit të Berlinit dhe nismës për krijimin e tregut të përbashkët rajonal.

E kur foli për takimin e së hënës, Zeka tha se beson që autoritet e Kosovës do të synojnë që këto pengesa me të cilat ballafaqohet shteti i Kosovës dhe elementet konstituive duke përfshirë edhe sektorin privat dhe bizneset të trajtohen në kuadër të negociatave të cilat zhvillohen në ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.


MË SHUME NGA Lajme