PDK e AAK reagojnë për audio-incizimet, përgjigjet Kusari-Lila
V.S&V.TH|RTKlive
(E plotësuar) Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë reaguar pas publikimit të bisedës telefonike ndërmjet shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari –Lilës me terroristin Milan Radojiçiq. Për këtë çështje ka folur Mimoza Kusari-Lila.
Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se nuk do të vazhdojnë të bashkëpunojnë me Lëvizjen Vetëvendosje në Kuvend derisa sipas tyre kryetare e këtij grupi është një person që koordinimin për vendimmarrjen në Kuvend e bënë me kryeterroristin, Milan Radoiçiq.
Shefi i Deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri në një konferencë për media bëri të ditur se do të kërkojnë që seanca e paraparë për sot të shndërrohet në debat ku do të hidhej dritë mbi këtë çështje.
“Ne do të kërkojmë që të gjitha pikat të zhvendosen. Sot duhet tu jepet mundësi të gjithë deputetëve të diskutojnë për këtë çështje. Duhet të hidhet dritë e të nxirren fakte të reja. Përpos këtyre dy çështjeve, përpos faktit që kryeterroristi Radoiçiq na ka përcaktuar pagën minimale dhe që paska pasur edhe kandidat të tij për Gjykatë Kushtetuese nga radhët e shqiptarëve, cilat janë kërkesat që i janë plotësuar Milan Radoiçiqit”, tha ai.
Tahiri e quajti të kontaminuar e të kriminalizuar këtë legjislaturë.
“Vendimmarrjen na ka përcaktuar kryeterroristi Milan Radoiçiq e krejt këtë situatë e bënë më të rëndë fakti që kryeterroristi Milan Radoiçiq është vrasësi direkt i policit tonë, Afrim Bunjaku, apo mund të jetë njëri nga ushtarët e tij. Si mund të vazhdojë një normalitet e si mund të vazhdojë kjo legjislaturë punën e saj kur kemi aq thellë të involvuar terroristë të tillë, një njeri që është në listën e zezë të SHBA për shkak të aktiviteteve kriminale”, tha Tahiri.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se kryeministri Albin Kurti është spiuni i Serbisë, duke komentuar publikimin e një përgjimi të ri në të cilën është përfshirë shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.
Haradianj ka theksuar se është hera e parë në historinë e Kosovës, që është bashkuar vota e shqiptarëve me serbë në Listën Serbe kundër UÇK-së.
““Kurrë, hera e parë në historinë e Kosovës, që është bashkuar vota e shqiptarëve me serbë në Listën Serbe kundër UÇK-së, është Albin Kurti. Dhe po ashtu është vërtetuar se për këtë votë, janë marr vesh pas shpinës së Kosovës. Nëse edhe kësaj nuk ia dimë emrin si quhet, kush para këtyre njerëzve në Kosovë se ka bërë këtë, kjo tregon se Kosovën e udhëheq njeriu i Serbisë, spiuni i Serbisë”, u shpreh Haradinaj.
Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari Lila i ka quajtur të fabrikuara audio-incizimet e publikuara një ditë më parë për çka tha se sot ka qenë në Polici e Prokuroi e rasti do t’i bashkohet kallëzimit penal që një vit më herët dorëzoi për ish-deputetin Slavko Simiq.
“Incizimet e mbrëmshme janë të fabrikuara për të cilat unë sot kam qenë në Policinë e Kosovës dhe në Prokurori dhe do t’i bashkëngjitet rastit që vitin e kaluar kam dorëzuar kallëzimin penal për ish- deputetin Slavko Simiq. Një manipulim dhe një montazhë e asaj natyre që synon të vë në dyshim e në pikëpyetje integritetin e personalitetin tim, pozicionimin politik timin, të Lëvizjes Vetëvendosje e të pozitës nuk ka asnjë qëllim tjetër përveç ta përdorë Listën Serbe si faktor politik përkundrejt që Lista Serbe zyrtarisht që dy vite e gjysmë nuk e ka asnjë ndikim në Kuvendin e Kosovës. Fatkeqësia është se atyre që po u mungon e po mundohen që me fabrikime ta sjellin Listën Serbe në opinion ta pastrojnë personalitetin e Radoiciqit prej krimineli”, theksoi ajo.
Sipas saj, në maj të vitit 2022 me 74 vota për ka kaluar në lexim të parë Ligji për Pagën Minimale.
"Grupi i LVV-së me atë multientik i kanë 64 deputet. Asnjë bisedë paraprake, asnjë kërkesë për mbështetje nuk i është bërë Listës Serbe. Në të kundërtën janë pyetur pse kanë hyrë në sallë në momentin kur ka dalë PDK-ja nga salla. Ka qenë darkordim e konspiracion i tyre i përbashkët për ta nxjerrë atë foto që sot po del në media", theksoi ajo.
Tutje Kusari-Lila tha se do të kërkojë ekspertizë për atë audio-incizim të publikuar, pasi biseda nuk është autoktone.
“Vetëm një bisedë ka ndodhur me Radoiçiqin në gjuhën shqipe dhe i qëndroj prapa saj. Ajo çfarë kam dëgjuar dje nuk është bisedë autoktone, ajo është e montuar. Zëri im mund të këputet e të ngjitet me pyetjet që ai i ka bërë, e janë të incizuara pastaj. Unë nuk kam folur me Radoiçiqin për Ligjin për Pagën Minimale apo për gjykatës të kushtetueses. Kërkoj ekspertizë e super ekspertizë profesionale për atë material që është publikuar”,theksoi Kusari-Lila.























