Deputetja e LVV-së, Drita Millaku i bashkohet LDK-së
Deputetja Drita Millaku, e cila deri tash ishte pjesë e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes nga sot i është bashkuar Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Këtë e ka bërë të ditur vetë lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
“Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Drita Millaku, nga sot është pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ajo i bashkohet familjes sonë politike në rrugëtimin e përbashkët që na pret përpara. Ky vendim i saj për të qenë pjesë e radhëve tona është jo vetëm një dëshmi e përkushtimit të saj politik, por gjithashtu një tregues i qartë se vizioni dhe programin i LDK-së për Republikën, është i duhuri sot” ka shkruar ai.
Abdixhiku e ka quajtur deputeten Millaku si aset të rëndësishëm për partinë.
“Si një figurë e respektuar në Prizren dhe një deputete e mandatuar për dy herë, ajo na vjen si aset i rëndësishëm partiak, dhe si kuadër për programin tonë politik dhe të ardhmen e vendit tonë”, ka shkruar lideri i LDK-së.























