Rezoluta e opozitës: Dorëheqje ministri me vartësit e tij dhe hetime
V.S|RTKlive
(E plotësuar, ora 16:16) Me rezolutë tri pikëshe kanë dalë partitë opozitare në fund të debatit, në Kuvendin e Kosovës, që u thirr për furnizim me ushqim të Ushtrisë së Kosovës.
Si pikë e parë përmes kësaj rezolute kërkohet që nga qeveria e Ministria Mbrojtjes me urgjencë të zgjidhë çështjen e furnizimit me ushqim dhe të gjitha pajisjet tjera të nevojshme. Pikë e dytë në këtë rezolutë renditet kërkesa për dorëheqje të zyrtarëve përgjegjës duke nisur nga ministri, zëvendësministri, sekretari i përgjithshëm e gjithë përgjegjësit e tjerë. Derisa në pikën e tretë kanë kërkuar nga Prokuroria e Shtetit që të hapet procedurë ligjore për të hetuar rastin duke përfshirë edhe dyshimet për FSK-në për çështje që kanë të bëjnë me interesa, siç kanë thënë ata, korruptive.
Rezoluta nuk arriti të dilte në votim meqë në sallë nuk pati numër të mjaftueshëm deputetësh që do ta shndërronin këtë dokument në letër zyrtare. Kryesuesi, nënkryetari Enver Hoxhaj tha se punimet e seancës ndërpriten e për vazhdimin e saj do të njoftohen nga Kryesia e Kuvendit.
Parlamentarët opozitarë në sallë plenare u mblodhën në seancë të jashtëzakonshme me 43 nënshkrime deputetësh. Kjo u bë seanca e dytë e thirrur nga deputetët e opozitës e mbajtur pa deputetët e shumicës parlamentare, Vetëvendosjes, të cilët një orë para nisjes së debatit treguan se nuk do të jenë pjesëmarrës aty duke treguar se nuk do të marrin pjesë në asnjë seancë që vjen nga opozita derisa, siç thanë, opozita të shmangë çdo imponim.
Tahiri i AAK-së: Ndjenja e përgjegjësisë për këtë qeveri nuk ekziston
(E plotësuar, ora 15:31) Shefi i deputetëve të AAK-së, Besik Tahiri, tha se ky mos planifikim është planifikim shumë i mirë i qeveritarëve, është planifikim me bazë serioze të korrupsionit.
Ai tha se vendimi për themelimin e ushtrisë 6 vjet më parë ka qenë një nga vendimet më të vështira.
“Ushtria e Kosovës duke qenë krenaria jonë këto 4 vjet u ballafaqua me sfida shumë të mëdha. Shumë prej tyre nuk po mundemi me i folë, nuk po mund të tregojmë për kushtet që kanë, për gjendjen e uniformës, për presionin politik, për ndikimin anësorë, për mungesën e kushteve themelore e mbi të gjitha për trajtimin me dinjitet atyre që bartin uniformën e ushtrisë. U detyruam të flasim e fatkeqësisht në këtë detyrim nuk ka ballafaqim”, tha tutje ai.
Tahiri tha se kryeministri po shëtitët nga një vend në tjetrin pa folur asnjë fjalë për këtë çështje.
“Si nuk u vjen turp të shëtiteni herë në një e herë në një shtet tjetër. Kryeministri të mos fletë asnjë fjalë të vetme për këtë problem e me ikë e me u fshehë sepse ballafaqimin me qytetarë e ka veç kur i vyen vota” tha ai.
Mirëpo sipas shefit të deputetëve të AAK-së kjo situatë nuk do të shkojë kështu.
“ Shpejt vjen 28 nëntori që është 27 vjetori i daljes publike të UÇK-së. Do të mbushen sheshet me veteranë se më nuk do të mund të durojnë”, tha ai.
Tahiri i PDK-së: Ky kuvend nuk meriton të vazhdojë punën as edhe një ditë
(E plotësuar, ora 15:15) Shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri tha se edhe dy muaj shënohet 6 vjetori i krijimit të ushtrisë së Kosovës e në prag të këtij përvjetori tha se do të donte shumë ta përgëzonte Qeverinë e Kosovës për sjelljen e raketave “Javelin”, por fatkeqësisht, tha ai, po diskutojnë për mungesën e ushqimit në ushtri që e quajti të mjerueshme e të turpshme.
Ai tha se deri tash në disa situata kanë heshtur kur ka qenë fjala për çështje të ushtrisë, madje kanë pasur fillimisht dilema edhe nëse duhej ta thërrisnin seancën apo jo.
Por, ai tha se kur ka një ministër që nuk brengoset aspak për një gjendje që ka sjellë ushtrinë e vetë, nuk mund të rrinin më duarkryq.
“Sot, kur e sheh të dezertuar nga detyra e tij Ministrin Mbrojtjes nuk mundesh me heshtë. Zotri ministër Maqedonci, sot ke dezertuar përballë detyrës tënde më fisnike, sot mos me qenë në gjendje të vish në Kuvend të mbrosh punën tënde e angazhimin tënd është e patolerueshme. Sot ajo që më së paku do të duhej ta bëje është të jepje dorëheqje e ta lirosh detyrën. Ministër do të mbahesh në mend që e ke lënë Ushtrinë e Kosovës pa bukë. Nuk të bënë nder ty as partisë tënde e as familjes tënde”, tha Tahiri.
Ai tha se në ditën kur kryeministri alarmoi se ushtria serbe është afruar 50 metra te kufiri me Kosovën, në po të njëjtën ditë komandanti i tyre raporton se po mbesin pa bukë.
“E pamë që Kryeministri i Kosovës na alarmon se ushtria serbe po afrohet 50 metra afër kufirit e në anën tjetër ata që janë të thirrur me Ligjin e Kosovës ta mbrojë integritetin e sovranitetin , Ushtria e Kosovës, të njëjtën ditë raporton komandanti i tyre që mbesin pa bukë. Nëse jemi kaq në rrezik qysh mbetet e lihet ushtria pa bukë”, tha tutje shefi i deputetëve të PDK-së.
Ai tha se Kuvendi nuk meriton të vazhdojë punën e tij as edhe për një ditë, sikurse edhe qeveria.
“Ky kuvend nuk meriton të vazhdojë punën e tij as edhe një ditë, sikurse kjo qeveri. Sa më shumë që vazhdojmë me punë, aq më shumë do të vazhdojmë me telashe e probleme të tilla. Sa më shpejtë që arrijmë ta qojmë vendin në zgjedhje besoj i ndalim edhe dëmet që po i bëhen vendit tonë”, shtoi tutje ai.
Tahiri paralajmëroi se opozita nuk do të ndalet karshi siç e quajti ai degradimit që po i bëhet ushtrisë së Kosovës.
Haradinaj: Kurti nuk punon në interes të Kosovës| VIDEO
(E plotësuar, ora 13:40) Po vazhdon seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, ku po diskutohet për gjendjen me ushqim në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).
Lideri i AAK-së Ramush Haradinaj që është deputet i AAK-së tha se në Kuvend po diskutohet për logjistikën, gjashtë vite pasi u krijua Ushtria e Kosovës.
“Merreni me mend jemi mbledhur sot, 6 vjet pasi u krijua ushtria të flasim për logjistikë, për shërbimet e ushtrisë tonë. Pra, as nuk jemi mbledhur të diskutojmë për planin 10 vjeçarë sa afër jemi, as të flasim për teknikën, por për diçka, logjistike që ushtritë e botës prej mijëra vjetësh kanë gjetur mënyra ta zgjidhin. Edhe ne në UÇK kemi gjetur zgjidhjen duke e bartur shumë herë ushqimin edhe në krahë. Ai që shërben në uniformë, ai nuk ka shkuar për ushqim, për pagën, ai është në gjendje të jap nga racioni ditor, por ka shkuar të shërbejë deri në frymën e fundit të tij apo saj”, tha Haradinaj.
Ai akuzoi kryeministrin Kurti se nuk punon në interes të shtetit të Kosovës.
“Kur në këtë foltore herët i kam thënë mashtrues, shumica e njerëzve kanë menduar që buron vetëm nga opozitarizmi. Angazhimi i tij ditor i tëri është mashtrim, ai nuk punon në interes të këtij vendi. Ai në vazhdimësi vazhdon ta dobësojë vendin që udhëheqë, t’ia dobësojë shtyllat jetike, shtyllat e sigurisë. Ai godet pamëshirshëm policinë, AKI-në, ushtrinë”, tha ish-kryeministri.
Ai pyeti se pse deri tash që 20 vite nuk i ndodhi askujt kjo?. “Unë një ditë kam thënë këtu, ai është spiun i Serbisë. Po, është tradhtar ai njeri që e lë ushtrinë pa bukë. Pse i ndodhi këtij, pse nuk i ndodhi askujt tjetër gjatë gjithë ekzistencës tonë që 20 vjet. A të gjitha janë rastësi? I ka lënë pa transport, veshmbathje e arriti t’i lë edhe pa bukë”, tha Haradinaj.
Abazi: Ministri duhet të sqarohet a është çështje e luftës së bandave,a po ligjit
Deputeti i pavarur Haki Abazi tha se sot në seancën e jashtëzakonshme po ekspozohet fakti që në Kuvend nuk ka demokraci. “Ikja nga parlamenti nuk është gjë tjetër përpos ikje nga ballafaqimi me qytetarë sepse nuk ka arsye tjetër pse këtu nuk janë deputetët e shumicës parlamentare”, tha ai. Abazi tha se nëse në të kaluarën janë bërë protesta e veprime opozitare, ministri e ka për obligim në rastin e parë të sqarojë para Komisionit Funksional për Siguri e pastaj edhe para Kuvendit e qytetarëve se çka po ndodhë në këtë sektor kaq vital të mbrojtjes së vendit e të mos ketë spekulime. “A është çështje e luftës së bandave dhe korrupsionit, në ministri, a është çështje e interesave të individëve, a ka ndodhë që vëllai i deputetit Dugolli të ndryshojë marrëdhëniet e prokurimit, a është çështje ligji?. Nëse është çështje ligji, atëherë le të ndërrohet e të bëhet në nivelin e ligjit të shteteve të NATO-s ku ne aspirojmë", tha ai.
Quni: Shqetësim thelbësor që prekë jo vetëm sigurinë kombëtare
Deputeti i LDK-së, Anton Quni tha se mungesa e ushqimit për ushtrinë është shqetësim thelbësor që prekë jo vetëm sigurinë kombëtare të vendit tonë, por edhe shëndetin dhe mirëqenien e ushtarakëve
“Është detyrë parësore e Ministrisë së Mbrojtjes të sigurojë mirëqenien për ushtarët dhe të tregojë kujdes e përkushtim të lartë për të siguruar kushtet të përshtatshme për operimin e mbarëvajtjen e të gjitha proceseve”, tha Quni.
Sipas tij, është thelbësore që Ministria e Mbrojtjes të sigurojë që proceset e prokurimit për Forcën e Sigurisë së Kosovës të jenë në përputhje me parimet e standardet me të larta.
“Prandaj nga përvojat e vendeve anëtare të NATO-s, ku Kosova synon anëtarësimin është e papranueshme që një procedurë kaq e rëndësishme si ajo e ushqimit të shpërfaqë shkeljet elementare ku procedura të tilla fillimisht klasifikohen sekrete e pastaj si procedurë ekstreme emergjente në kundërshtim të plotë me legjislacionin e praktikat e mira të ministrive të mbrojtjes së shteteve demokratike”.
Sipas tij, nëse shtetet e fuqishme ushtarake si SHBA e Mbretëria e Bashkuar, por edhe vendet fqinje mund të ndjekin procese të hapura, atëherë sipas tij cilat mund të jenë motivet e arsyet që Kosova të veprojë ndryshe.
“Përtej aspekteve të transparencës e konkurrencës, NATO-ja ka vendosur standarde të qarta dhe të rrepta për ushqimin e forcave të saj të cilat synojnë tua ofrojnë ushtarëve ushqim të shëndetshëm e përshtatshme të sigurt për nevojat e operacione. Standardi NATO-s për siguri ushqimore përshkruan qartë se çfarë duhet të përmbajë një racion për të siguruar që çdo ushtarë të merr kaloritë, proteinat karbohidratet dhe yndyrat e nevojshme për të përballuar kushtet gjatë operacioneve apo ushtrimeve fushore, por edhe në beteja”.
Uni tha se kjo qasje jo vetëm që rrezikon shëndetin e ushtarëve tanë , por përfshinë pasoja strategjike lidhur me aftësinë tonë për të përmbushur detyrimet ndërkombëtare dhe për të mbrojtur sigurinë kombëtare.
Berisha i PDK-së: Ky është sabotim i qëllimshëm i një institucioni kyç
Në fjalën e tij para deputetëve, Hisen Berisha nga PDK-ja tha se po e mbanë një fjalë të cilën nuk do të dëshironte ta mbante asnjëherë në foltoren e Kuvendit.
“Jo vetëm për shkak të kodit ushtarak që më kufizon, por asnjëherë nuk do të doja të flisja rreth ushtrisë për probleme të karakterit logjistik për një ushtri ku të rinjtë nuk konkurrojnë të bëhen pjesë e krenarisë që të jep uniforma, arma dhe detyra e ushtarakut e për më keq për një ushtri nga e cila ikin ushtarët nënoficerët e oficerët që ikin për paga, çizme e uniforma për mungesë ushqimi e të tjera. Kjo është vetëm njëra anë e pasojave të keqmenaxhimit të ushtrisë sonë”, tha gjatë fjalës së tij, Berisha.
Ai tha se asnjë ushtarë nuk e ka lënë uniformën për shkak të ushqimit, apo bashkimit familjarë.
“Janë një mori shkaqesh demotivuese siç janë pagat e kushtet jo dinjitoze, manipulimet me gradime, trajnimet jashtë vendit me manipulime puna jashtë orarit dhe moskompensimi e të tjera çështje”, tha ai.
Berisha tha se qeveria ka agjendë për zhbërjen e shtetit të Kosovës.
“Deri sot kanë arritur ta falimentojnë shtetin në aspektin zhvillimor, social e politik e tash edhe në aspektin e sigurisë. Hapi i parë i shkatërrimit ishte projekti për shërbimin e detyrueshëm ushtarak si mekanizëm që deshën ta minojnë projektin e ushtrisë profesioniste. Albin Kurti për efekte elektorale premtoi shërbimin e detyrueshëm ushtarak, por ai nuk arriti të krijojë kapacitetet për ushtrinë t’ua sigurojë bukën. E ky është mashtrimi i madh i Albin Kurtit. Ajo çfarë po ndodhë me Forcën ka vetëm një emër. Sabotim i qëllimshëm i një institucioni kyç për sigurinë e stabilitetin e vendit”, tha deputeti i PDK-së
Berisha i AAK-së: Nuk ka lojë me ushtrinë
Me mungesë të partisë në pushtet, vetëm me deputetët opozitarë ka filluar seanca e jashtëzakonshme edhe thirrur nga opozita ku po debatohet për mungesën e ushqimit për ushtrinë e Kosovës.
Deputeti Bekë Berisha që është edhe kryetar i Komisionit për Siguri tha se Ushtria e Kosovës është krenaria e vendit.
Ai tha se situata aktuale është tejet shqetësuese e sipas tij trajtimi i ushtarëve me neglizhencë është shkelje e rëndë e përgjegjësisë së udhëheqjes së kësaj qeverie.
“Kriza e furnizimit me produkte esenciale është sinjal alarmant që kërkon zgjidhje të menjëhershme. Mos të harrojmë ne jemi në një kohë të rrezikshme të sigurisë në rajon dhe është thelbësore që sektori i sigurisë të trajtohet me prioritet e dinjitet” tha ndër të tjera ai.
Ai tha se pyetja që të gjithë deputetët duhet të shtrojnë sot është se si mund të jenë të sigurt nga kjo mazhorancë që do të avancojë planin 10 vjeçar të transformimit të FSK-së në përputhje me standardet e NATO-s nëse nuk arrin të menaxhojë as furnizimin e ushqim për ushtarët.
“Po ua përsërisë, nuk ka lojë me ushtrinë. Mbani detyrën plotësojani kushtet përndryshe shteti dështon e edhe ju bashkë me të”, tha gjatë fjalimit të tij deputeti nga AAK-ja.
Për t’i kthyer dinjiteti ushtrisë, Berisha tha se do të duhej të jepnin dorëheqje ministri bashkë me vartësit e tij.























