Haradinaj: Jackson dha një kontribut të jashtëzakonshëm për Kosovën
E.Hoti RTKlive
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, tha se komandanti i parë i KFOR-it në Kosovë, gjenerali Mike Jackson, ishte lider pragmatik, që dha një kontribut të jashtëzakonshëm që në ditët e para të lirisë.
“Lajmi për shkuarjen në amshim të Gjeneralit Mike Jackson, Komandantit të parë të KFOR-it, më mërziti shumë pasi që ai ishte personalitet që dha një kontribut të jashtëzakonshëm që në ditët e para të lirisë. Gjeneral Jackson, ishte lider pragmatik, ushtarak me plot kuptimin e fjalës dhe mik i madh i Kosovës. Ai ka luajtur një rol të rëndësishëm në disa procese vendimtare për vendin”, ka shkruar Haradinaj në Facebook .
Haradinaj tha se kontributi i tij për Kosovën është i pazëvendësueshëm dhe do të mbetet gjithmonë në zemrat e popullit tonë.
“Për mua ka qenë një nder i veçantë që të bashkëpunoj me të gjatë procesit të shtet-ndërtimit të Kosovës, dhe nga ky bashkëpunim lindi një miqësi e sinqertë.Kontributi i tij për Kosovën është i pazëvendësueshëm dhe do të mbetet gjithmonë në zemrat e popullit tonë, me mirënjohje të përhershme.U prehtë në paqe!”, ka shkruar tutje Haradinaj.























