Kurti vlerëson mbështetjen e Mukwege për të mbijetuarit e dhunës seksuale
V.S|RTKlive
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka pritiur në zyren e tij nobelistin, Denis Mukwege.
Njoftimi i bë nga Zyra për Media e Qeverisë ku thuhet se Kurti e ka falënderuar nobelistin për vizitën e tij në Kosovë.
“Kryeministri shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e nobelistit për të mbijetuarit tanë të dhunës seksuale të kohës së luftës”, derisa ka shtuar se qeveria po punon ngushtë me institucionet dhe akterë të shoqërisë civile rreth proceseve të drejtësisë tranzicionale, në veçanti me organizatat e grave dhe të mbijetuarave të dhunës seksuale.
Siç bëhet e ditur në njoftim, kreu qeveritar i ka treguar mysafirit se tashmë është themeluar dhe Instituti për Dokumentimin e Krimeve të Luftës dhe është miratuar Strategjia e parë Kombëtare për Drejtësinë Tranzicionale.
“Gjithashtu Komisioni Qeveritar për Njohjen e Statusit të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës, që nga viti 2018 pranon aplikime nga të mbijetuarit me trajtimin e sigurt të garantuar të informacionit ku deri më tani kanë mbërritur mbi 2000 aplikime”, vazhdon komunikata.
Tutje thuhet se kryeministri veçoi rritjen e kapacitetit për të trajtuar krimet e luftës duke rritur numrin e hetuesve policorë.
“Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Dr. Mukwege në aktivitetin e përbashkët me ministrinë tonë të Punëve të Jashtme, për vendosjen e instalacionit "Thinking of You", të artistes Alketa Xhafa, në muajin qershor, në Hagë”.
Ndërkohë, tutje thuhet se Mukwege përgëzoi Kosovën dhe institucionet e saj për bashkëpunimin me shoqërinë civile dhe punën në drejtësinë tranzicionale.
Mukwege është avokues i të drejtave të njeriut. Së bashku me aktivisten Yazidi Nadia Murad, ai mori Çmimin Nobel për Paqe 2018 për "përpjekjet e tij për t'i dhënë fund përdorimit të dhunës seksuale si armë lufte dhe konflikti të armatosur".
Ai numëron shumë çmime të tjera për punën e tij, duke përfshirë Çmimin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Çmimin e Drejtësisë së Jetesës, dhe Çmimin Sakharov të Parlamentit Evropian.























