Mungesa e hapësirave të gjelbra dhe ndikimi në shëndetin e fëmijëve
BKT
Në Fokus

Mungesa e hapësirave të gjelbra dhe ndikimi në shëndetin e fëmijëve

K. Kasumi / RTKlive

Emisioni “RTK Green” këtë javë trajtoi temën “Gjelbërimi dhe fëmijët”, e ku mysafirë ishin Valbona Nushi Stavileci, pediatre, nefrologe dhe Naim Zeka, pediatër, neurolog.

31 % e popullsisë së Kosovës është prej moshës 0 deri 18 por, kjo kategori mbetet ndër më të neglizhuarat në shumë aspekte e një ndër to është hapësira ku ata  jetojnë.

Fëmijët e Kosovës në zonat urbane jetojnë pa hapësira të gjelbra, pa parqe, me ajër të ndotur, mes zhurmave urbane, ndërtimtarisë dhe zhurmave të transportit e që, sipas standardeve botërore, për të pasur shëndet të mirë, mirëqenie fizike mendore psikologjike, duhet të sigurohet një minimum prej 120 metrash katrorë për person apo 11.25 metër katrorë hapësirë e gjelbër brenda qytetit.

Valbona Nushi Stavileci, pediatre, nefrologe, e pyetur se sa ndikon te zhvillimi i fëmijës mungesa e hapësirës së gjelbër, tha: “Mungesa e aktivitetit fizik është shumë e rëndësishme, se kur ke mungesë të hapësirës së gjelbër, ke mungesë edhe të aktivitetit fizik, e mungesa e aktivitetit ndikon tepër edhe në zhvillimin konjitiv të fëmijës, edhe në atë intelektual, në kujtesë, në anën tjetër mungesa e hapësirës së gjelbër është mungesë e ajrit të pastër, është mungesë e oksigjenit, sepse oksigjeni është ushqim për trurin, kështu që vuajnë fëmijët në këtë ambient”.

Ndërkaq dhe Naim Zeka, pediatër, neurolog, i pyetur se a kanë fëmijët tani sëmundje të tjera për shkak të mungesës së hapësirave të gjelbra, u shpreh: “Para disa dekadave në punën tonë të përditshme shumë rrallë ka pasur çrregullime të sjelljes, sëmundjes psikiatrike, ndoshta edhe neurologjike, probleme të çrregullimit të sistemit nervor qendror, por në dy dekadat e fundit, sidomos në dekadën e fundit, ndryshimi është maksimal”.

Sipas tij, sot nuk ka ditë që nuk ka disa raste me çrregullime të autizmit, hiperaktivitetit, probleme me epilepsi të formave të ndryshme të shkaktuara për shkak të përdorimit të mjeteve elektronike dhe mënyrës së jetesës.

“Derisa në vitet ’80-’90 problemin më të madh e kemi pasur diarrenë, sot aksidentet dhe problemet psikiatrike janë në përqindje shumë të madhe. Çdo i treti fëmijë vjen me probleme neurologjike, me kokëdhimbje. Është një akumulim i stresit të përditshëm në të cilin jeton ai fëmijë, akumulim i ngarkesës përmes mjeteve vizuale dhe që në një periudhë të caktuar manifestohet edhe me këto shenja”, shtoi Zeka.


MË SHUME NGA Në Fokus