Përfundon takimi Kurti - O’Brien
V.S|RTKlive
( E plotësuar, ora 17:43) Takimi në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe ndihmëssekretarit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit Amerikan, James C. O’Brien, ka përfunduar.
Bashkë me zyrtarin e lartë nga Shtetet e Bashkuara ishte edhe abasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier.
Pas përfundimit të takimit i cili zgjati për më shumë se dy orë nuk kishte deklarata për media.
Para takimit ambasadori Amerikan, Hovenier ka shkruar se presin me padurim të zhvillojnë biseda për çështje kyçe dhe ta ritheksojnë përkushtimin e SHBA-së ndaj popullit të Kosovës.
Para Kosovës, O’Brien bashkë me drejtoreshën e Përgjithshme për Evropën në Shërbimin Evropian për Punë të Jashtme Angelina Eichhorst, qëndruan në Serbi ku u takuan me presidentin serb Aleksandër Vuçiq.

Kurti priti në takim James O’Brien

( E plotësuar, ora 16:11) Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim Ndihmës Sekretarin për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit amerikan, James C. O’Brien.
O’Brien hyn në Qeveri, nis takimin me Kurtin| VIDEO

(E plotësuar, ora 15:10) Ndihmës Sekretari për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit amerikan, James O’Brien ka hyrë tashmë në godinën qeveritare, për të nisur takim me kryeministrin, Albin Kurti.
Bashkë me zyrtarin e lartë nga Shtetet e Bashkuara është edhe Abasadori Amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier.
Deri në këto momente nuk janë dhënë detaje nëse O’Brien e Kurti do të deklarohen për media pas takimit.
Ndërkohë, para pak minutash Ambasadori Amerikan, Hovenier ka shkruar se presin me padurim të zhvillojnë biseda për çështje kyçe dhe ta ritheksojnë përkushtimin e SHBA-së ndaj popullit të Kosovës.
“Kënaqësi për të mirëpritur Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien për vizitën e tij të parë në Kosovë në rolin e tij aktual. Presim me padurim që të zhvillojmë biseda me zyrtarët kosovarë për çështjet kyçe bilaterale dhe ta ritheksojmë përkushtimin e SHBA-së ndaj popullit të Kosovës”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e shpërndarë nga Ambasada Amerikane në Prishtinë.
O’Brien në Kosovë, takimi me Kurtin në orën 15:00
(E plotësuar) Qeveria e Kosovës ka njoftuar për takimin që do ta zhvillojë shefi i ekzekutivit kosovar Albin Kurti me Ndihmës Sekretarin për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit amerikan, James O’Brien e cili takim do të zhvillohet nga ora 15:00.
Më herët ardhjen e zyrtarit të lartë amerikan në Prishtinë e konfirmoi për RTKlive Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.
Para Kosovës, O’Brien bashkë me drejtoreshën e Përgjithshme për Evropën në Shërbimin Evropian për Punë të Jashtme Angelina Eichhorst, qëndruan në Serbi ku u takuan me presidentin serb Aleksandër Vuçiq.
Në njoftimin qeveritar specifikohet pritja që Kurti do t’i bëjë zyrtarit të lartë të Shteteve të Bashkuara, por aty nuk përmendet se pritje do të ketë edhe për drejtoreshën e Përgjithshme për Evropën në Shërbimin Evropian për Punë të Jashtme, Angelina Eichhorst.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pret në takim Ndihmës Sekretarin për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit amerikan, James C. O’Brien”, thuhet në njoftimin e dërguar mediave nga zyra për media nga kryeministria.
E konfirmon Ambasada Amerikane: O’Brien dhe Eichhorst sot në Prishtinë
Ndihmës-Sekretari Amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien dhe drejtoresha e Përgjithshme për Evropën në Shërbimin Evropian për Punë të Jashtme Angelina Eichhorst, pritet të vijnë sot në Prishtinë. Kjo u konfirmua për RTKlive nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara., vizita është e konfirmuar”, thanë nga Ambasada për këtë vizitë të zyrtarëve të lartë nga të Shtetet e Bashkuara dhe Evropa.
O’Brien dhe Eichhorst dje ishin në Serbi ku u takuan me presidentin serb Aleksandër Vuçiq.
Presidenti serb, Vuçiq ka deklaruar se në takimin që pati u diskutua edhe për Kosovën dhe sa i përket dialogut të vazhdojë me mbështetjen e SHBA-së dhe BE-së.
“Kemi shkëmbyer mendime edhe për rolin e Serbisë në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë. Me bashkëbiseduesit u njoha në detaje për situatën në Kosovë dhe shpreha shqetësimin e thellë për sfidat me të cilat populli serb përballet çdo ditë. Theksova nevojën për një angazhim më të madh të SHBA-së në këtë çështje, pasi që një mbështetje më e fortë dhe pjesëmarrje më aktive e Shteteve të Bashkuara mund të kontribuojë në stabilitetin dhe sigurinë në rajon”, ka theksuar ai.
Vuçiq, ka thënë se e ka përsëritur “përkushtimin e Serbisë për integrimin në BE dhe reformat që janë të nevojshme për të përmirësuar bashkëpunimin me BE, por theksova gjithashtu se i gjithë rajoni ka nevojë për një të ardhme të qëndrueshme dhe të parashikueshme, me mesazhe të qarta nga Bashkimi për zgjerim”.























