Policia për arrestimin e Metës: Përdorimi i forcës na u imponua
E.Hoti RTKlive
Policia e Shtetit ka bërë një reagim pas arrestimit të ish-presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta. Policia tha se e ka respektuar rregulloren gjatë arrestimit të tij mesditën e sotme.
Tutje Policia tha se iu imponua ta përdorte forcën për ta nxjerrë atë nga vetura dhe për ta prangosur.
“ Shtetasi I.M. ka reaguar në mënyrë refuzuese dhe kundërshtuese dhe ka lëshuar fjalë fyese në drejtim të përfaqësuesve të Policisë dhe Drejtësisë. Bazuar në procedurën e parashikuar nga Rregullorja, ai është nxjerrë nga automjeti dhe shoqëruar forcërisht”, thuhet në njoftim.
Policia e Shtetit nënvizon se përdorimi i forcës për shoqërimin e subjektit u imponua nga kundërshtimi me forcë prej tij, për zbatimin e vendimit të gjykatës që iu komunikua nga punonjësit e Policisë.























