Shtyhet seanca paraprake ndaj Berishës dhe Malltezit
BKT
Shqipëri

Shtyhet seanca paraprake ndaj Berishës dhe Malltezit

Sh.Ç/RTKlive

Gjykata e Posaçme e ka shtyer për nesër më 25 nëntor seancën paraprake ndaj Berishës. Avokatët kanë kërkuar pavlefshmëri, pasi sipas tyre gjykata kishte caktuar seancën pa respektuar një afat 10 ditor të njohjes së tyre me aktet e dosjes.

“Për shkak të pavlefshmërisë së njoftimit dhe për shkak të volumit të jashtëzakonshëm të dosjes seanca është shtyrë për datën 25 Nëntor ora 12:00. Seanca është caktuar përpara 10-ditëshit që ne kemi në dispozicion për të njohur aktet. Mos harroni që janë 160 mijë faqe. Ne i kemi marrë aktet. Problemi është që pjesa e leximit, ato duhet të selektohen, kush janë të dobishme për çështjen se ka ujëra material”, tha avokati Genc Gjokutaj.

Ish-kryeministri Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi kanë zgjedhur të mos paraqiten personalisht dhe po përfaqësohen me avokatë në sallën e gjyqit.

I vetmi i pranishëm në sallë ishte biznesmeni Fatmir Bektashi, ndërsa pjesa tjetër vendosi të përfaqësohej vetëm me avokatët.

“Berisha nuk është e nevojshme të paraqitet. Në seancat që janë procedurale prezenca nuk është e nevojshme, por sigurisht që zoti Berisha në seancat ku do të jetë e domosdoshme prezenca e tij do të çmohet nga ne dhe ai, dhe sigurisht ai është pjesë e procesit si në prezencë dhe në mungesë”, sqaroi avokati i ish-kryeministrit Berisha.

Sali Berisha akuzohet për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.

Jamarbër Malltezi akuzohet për kryerjen e veprave “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal.

Fatmir Bektashi akuzohet për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal dhe “Pastrimi të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal.


MË SHUME NGA Shqipëri