Hysen Hundozi fillon punën si u.d. Drejtor i Përgjithshëm i RTK-së
RTKlive
Hysen Hundozi ka filluar sot punën si ushtrues detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, pasi dje është emëruar në këtë pozitë nga Bordi i RTK-së.
Hysen Hundozi është gazetar dhe profesionist i medieve, me përvojë mbi 20 vjeçare të punës në industrinë mediatike dhe organizatat ndërkombëtare. Ai është i lindur në vitin 1976 në Prishtinë.
Që nga viti 2002, ai është angazhuar në pozita të ndryshme menaxheriale në RTK, si Udhëheqës i Shërbimit Programor e Arkivit Multimedial, kurse nga viti 2003 edhe si gazetar dhe bashkautor i emisioneve javore për shkencë dhe teknologji “Multimedia” dhe “RTK Tech”.
Para kësaj kohe, Hundozi ka punuar disa vite edhe në projekte të ndryshme në kuadër të Organizatës Ndërkombëtare të Migrimit (IOM).
Gjatë viteve 2012-2017, Hundozi ka qenë Udhëheqës i Komitetit për marrëdhënie me publikun në Rotary, klubin anglishtfolës “Prishtina International”.
Studimet e nivelit Bachelor, Hundozi i ka të kryera në drejtimin Menaxhment dhe Informatikë, kurse ato Master në drejtimin Integrime Evropiane. Hundozi është edhe profesionist i certifikuar ndërkombëtarisht i teknologjisë informative në fushën e teknologjisë ‘cloud’.
Nga gjuhët e huaja, ai flet anglishten, gjermanishten dhe serbokroatishten. Hysen Hundozi është i martuar dhe ka 3 vajza.
Të rikujtojmë se Bordi i RTK-së, dje mbajti mbledhje të jashtëzakonshme me pikën kryesore të rendit të ditës “Diskutimi mbi bllokimin e ekzekutimit financiar dhe menaxherial në RTK”.
"Duke iu referuar situatës së bllokimit financiar dhe menaxherial, e cila paralizon të gjitha operacionet dhe aktivitetet në RTK, në kushte kur pjesëmarrës në mbledhjet e bordit të RTK-së ishin vetëm gjashtë (6) anëtarë, dhe pas konsumimit të mundësive për të emëruar një udhëheqës me pjesëmarrje të të gjithë anëtarëve, si organ kolegjial dhe mbikëqyrës me qëllim të zhbllokimit të krizës si mundësi e vetme, ka vendosur për plotësimin e rregullores nr. 22/24 për rregullimin e procedurave të konkursit në RTK dhe Statutin nr. 1/22, duke rregulluar procesin e votimit të ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm me shumicë të thjeshtë votash. Me këtë rast, Bordi i RTK-së emëroi edhe ushtruesin e detyrës së drejtorit të përgjithshëm, Hysen Hundozi, i cili punon në RTK që nga viti 2002 dhe ka pasur pozita të ndryshme menaxhuese dhe profesionale", thuhet në njoftimin e Bordit të RTK-së.























