Rezultatet e para të zgjedhjeve në SHBA
V.S & A.B & V.TH| RTKlive
(Plotësuar, 01:06) Vendvotimet e para që mbyllen janë në disa pjesë të Indianas dhe Kentakit, në orën 18:00. Vendet e votimit në pjesë të të dy shteteve që janë në zonën kohore qendrore, do të qëndrojnë të hapura deri në orën 19:00 të bregut lindor.
Në orën 20:00, të gjitha vendvotimet do të mbyllen në gjysmën e shteteve të vendit: Alabama, Connecticut, Delaware, Florida, Xhorxhia, Indiana, Illinois, Kentucky, Maine, Maryland, Massachusetts, Mississippi, Missouri, New Hampshire, New Jersey, North Carolina, Ohio, Oklahoma, Pensilvania, Rhode Island, Karolina e Jugut, Tenesi, Vermont, Virxhinia dhe Virxhinia Perëndimore, raporton VOA.
Qendrat e votimit qëndrojnë të hapura më vonë në Alaskë, ku do të mbyllen në orën 1 të mëngjesit.
Që nga e marta, gjurmimi nga agjencia e lajmeve Associated Press i votimeve të hershme në mbarë vendin tregoi se mbi 82 milionë fletë votimi u hodhën përpara ditës së zgjedhjeve, që është pak më shumë se gjysma e numrit të përgjithshëm të votave në zgjedhjet presidenciale katër vite më parë.
Megjithatë, për rezultatet në shumë prej atyre shteteve do të duhen orë, nëse jo ditë, për t'u shpallur.
Zgjedhjet presidenciale pritet të përcaktohen nga rezultate në disa shtete të fushëbetejës elektorale.
Amerika voton, dita e zgjedhjeve përgjithësisht e qetë
(E plotësuar, 6 nëntor, ora 00:36) Vendvotimet e para janë mbyllur në Shtetet e Bashkuara, Votimi në ditën e zgjedhjeve u zhvillua kryesisht pa probleme në të gjithë vendin të martën me vetëm njoftime sporadike për vonesa për shkak të motit ekstrem, gabime shtypi në fletëvotime dhe probleme teknike.
Shumica e problemeve që u paraqitën deri në mesditë ishin "zhvillime të pritshme rutinë dhe për të cilat ishin marrë masat", tha Cait Conley, këshilltare e lartë e drejtorit të Agjencisë së Sigurisë Kibernetike dhe Infrastrukturës, në një konferencë për shtyp, raporton VOA.
Conley tha se agjencia aktualisht nuk po gjurmonte ndonjë incident në nivel kombëtar apo të natyrës domethënëse që mund të ndikonte në sigurinë e zgjedhjeve.
(E plotësuar, ora 23:55) Derisa në Shtetet e Bashkuara po vazhdon votimi për zgjedhjet presidenciale, RTK po transmeton edicion special ku të ftuar janë njohës të zhvillimeve dhe politikës amerikane derisa studio do të jetë e hapur deri në orët e para të mëngjesit.
Këtu mund të ndiqeni në RTK emisionin special.
Bajraktari: Zgjedhjet në SHBA janë historike
Aktivisti shqiptaro-amerikan, Harry Bajraktari tha se zgjedhjet e sotme në SHBA konsiderohen si historike. Ai për rezultatet e sotme tha se ndoshta nuk do të dihet së shpejti.

Hoti: Varësisht nga epilogu i kësaj gare përcaktohen shumë procese politike
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare Afrim Hoti tha se varësisht nga epilogu i kësaj gare do të përcaktohen shumë procese politike që janë në varësi të së ardhmes.
Sipas tij zhvillimet deritashme presin një epilog shumë interesant se kush do të jetë banor i ri në Shtëpinë e Bardhë.
Ai tha se nëse vazhdojnë demokratët nuk priten ndryshime drastike qoftë në SHBA qoftë në vende tjera e nëse kthehen republikanët do të ketë ndryshime, por nuk priten ndryshime radikale që bartin me vete frikë që sipas tij është përcjellë edhe në Kosovë edhe në vende tjera.
Halili: Në SHBA nuk fiton ai që ka fituar numrin e votave popullore, por janë të rëndësishme votat elektorale
Diskutimi në studio nisi me profesorin universitar që është njohës i sistemit amerikan, Zenun Halili.
Si shtetas amerikan që ka jetuar për shumë vite atje, Halili tha se ka përcjellë disa palë zgjedhje në SHBA, por sipas tij këto zgjedhje janë pak më ndryshe për shkak të rezultatit shumë të përafërt q mund të kenë të dy kandidatët Harris e Trump.
Ai foli për sistemin zgjedhor amerikan, që ndonëse kandidati mund t’i fitojë votat popullore, president mund të bëhet vetëm nëse ka shumicën e votave elektorale.
“Sot është dita e zgjedhjeve dhe atje mbahen zgjedhjet edhe për dy dhomat e kongresit të SHBA. 435 ulëse për Dhomën Përfaqësuese dhe 1/3 e Senatit, por askush nuk po flet për to, por për zgjedhjet presidenciale. Tani publiku amerikan, votuesit amerikan nuk votojnë drejtpërdrejt për kandidatët për president, por për elektorët që i kanë caktuar dy partitë politike dhe janë 538. Çdo shtet ka elektorë sa ka përfaqësues në Kongres. Ai që siguron minimun 270 vota e fiton presidencën. Por, kur votojnë elektorët, ata votojnë me 17 dhjetor”, tregoi ai.
I pyetur se nëse fiton Kamala Harris a do ta pranojë Trump rezultatin, Halili tha se kjo frikë po ndjehet edhe në SHBA.
“Është kjo frikë, ndjehet edhe në SHBA sepse ndjekësit e tij për të cilët është ai shndërruar në figurë të dashur mendojnë që zgjedhjet e 2020-s i janë vjedhur atij dhe ata e kanë shndërruar atë në një lider shpirtëror dhe janë të gatshëm për çdo gjë dhe kjo është pak shqetësuese”, tha ai.
Profesori foli se si në të kaluarën fituesin e shpallnin rrjetet televizive për çka tha se kësaj radhe nuk do të ndodhë kjo sepse do të jenë shumë të kujdesshëm derisa të numërorhet secila votë.
Sipas tij, shumica dërrmuese e amerikanëve më së shumti shqetësohen për xhepat e tyre e kur flitet për ekonominë e sigurinë, tha se Trump ka përparësi.
Derisa prognozoi, tha se Trump mund t’i marr mbi 300 vota elektorale e ndoshta të fitojë për herë të parë edhe votën popullore.
“Sepse në SHBA nuk fiton ai që ka fituar numrin e votave popullore, por janë të rëndësishme votat elektorale”, shtoi Halili.

( E plotësuar) Në SHBA po vazhdojnë votimet. Qytetarët amerikanë po vazhdojnë të votojnë në zgjedhjet historike presidenciale.
Profesori universitar në Harvard të ShBA-së, Faton Limani, ka folur për zgjedhjet në SHBA. “Deri më tani kanë votuar 80 milionë amerikanë, dhe fushëbeteja është te “sëing states”, si Pensilvania, Arizona, Xhorxhia, Miçigan, Karolina e Veriut”, tha për RTK-në profesori universitar në Harvard të ShBA-së, Faton Limani, duke folur për procesin zgjedhor në SHBA.

Kamala Harris flet në selinë e DNC
Zëvendëspresidentja Kamala Harris është ndalur në selinë e Komitetit Kombëtar Demokratik në Uashington, DC, të martën për të falënderuar ata që janë duke bërë bankë telefonike për fushatën e saj.
Harris foli me shumë telefonues në telefon dhe i inkurajoi ata të ndiqnin planet e tyre për të dalë për të votuar sot.
"Jam mirë," dëgjohej Harris duke i thënë një telefonuesi në telefon. "Unë thjesht doja t'ju telefonoja dhe të kontrolloja dhe të sigurohesha se ku mund të shkoni të votoni sot nëse nuk e keni bërë tashmë”, tha ajo, raporton CNN.
“Faleminderit shumë dhe faleminderit që jeni aktiv në pjesëmarrjen në këtë proces shumë, shumë të rëndësishëm dhe këtë themel të demokracisë sonë. Ne nuk mund ta bëjmë këtë pa njerëz si ju,” tha ajo.
Ajo i tha një tjetri që “përkujtojini njëri-tjetrit dhe të gjithëve fuqinë e zërit tuaj, votën tuaj, këto zgjedhje janë padyshim kaq të rëndësishme”.
Ish-presidenti Donald Trump voton në Florida
Kandidati republikan presidencial dhe ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i shoqëruar nga ish-zonja e parë e SHBA-së, Melania Trump, ka votuar në Qendrën Rekreative Mandel në ditën e zgjedhjeve në Palm Beach, Florida, më 5 nëntor.
Trump ka folur pasi ka votuar. Ai është pyetur nëse sheh një botë në të cilën nuk do të shpallte fitoren sonte.
Trump u përgjigj: “Po, dua të them, unë po dëgjoj të njëjtat gjëra që po dëgjoni ju. Unë po dëgjoj shumë shtete ku jam lart, por ato nuk do të kenë një numër përfundimtar për një kohë të gjatë.”
“Unë nuk e di se çfarë do të ndodhë në lidhje me shpalljen e fitores,” shtoi ai.























