Përfundon ndeshja Rumani-Kosovë
Uran Krasniqi / RTKLive
(E plotësuar, 00:10)Lojtarët e Kosovës nuk i janë bindur arbitrit dhe nuk kanë dalur në fushë për ta vazhduar ndeshjen me Rumaninë. Kësisoji gjyqtari e ka përfunduar ndeshjen.
Ndërsa UEFA ka reaguar zyrtarisht pas ndërprerjes së ndeshjes.
“Ndeshja e Ligës së Kombeve në mes të Rumanisë dhe Kosovës është ndërprerë. UEFA do të dalë me informacione të mëtejshme në kohën e duhur,” thuhet në komunikatën zyrtare të publikuar menjëherë pas mbylljes së takimit.
Sipas rregullave të UEFA-s, nëse një kombëtare nuk vazhdon lojën për shkak të thirrjeve raciste, UEFA duhet të ekzaminojë nëse situata justifikon vendimin. Në varësi të hetimit, pasojat mund të prekin njërën ose të dyja palët, por rregulloret synojnë të mbrojnë futbollistët dhe të luftojnë racizmin në sport.
Ndërpritet ndeshja Rumani - Kosovë pas thirrjeve `Serbia, Serbia`
(E plotësuar, 22:56) Ndeshja Rumani - Kosovë nuk është mbyllur nga gjyqtari të premten në Bukuresht.
Ndeshja është ndërprerë në çastet e fundit dhe nuk dihet kur pritet të rifillojë. Kjo ka ndodhur pas një incidenti, të cilit i kanë paraprirë një kacafytje e Rrahmanit me Alibec dhe një thirrje e tifozëve rumunë "Serbia, Serbia".
Ndryshe, Kombëtarja e Kosovës ka zhvilluar një paraqitje mbresëlënëse, duke krijuar më shumë raste se Rumania, por ku gola nuk ka pasur.
Skuadra e drejtuar nga Franco Foda ka dominuar, por konkretizimi ka munguar.
Në minutën e gjashtëmbëdhjetë, Jashari ka testuar portierin rumun me një goditje të fuqishme, por ky i fundit e ka ndalur topin.
Rasti më i mirë i pjesës së parë ka ardhur në minutën e njëzet e nëntë, kur Zhegrova ka provuar të shënojë nga afër, por është bllokuar nga mbrojtja rumune. Topi i kthyer ka përfunduar te Muriqi, i cili ka goditur me forcë, por sërish portieri vendas ka qenë i pakalueshëm. Rumania e ka patur një shans të artë në minutën e dyzetë, kur Stanciu e ka goditur shtyllën.
Në pjesën e dytë, Kosova ka vazhduar ta kërkojë golin. Në minutën e shtatëdhjetë e nëntë, Vojvoda ka gjuajtur fuqishëm, por portieri Nita ka bërë një pritje vendimtare.
Pesë minuta më vonë, Asllani ka provuar nga distanca, por goditja ka përfunduar mbi portë.
Në ndeshjen tjetër të grupit, Qipro e ka mposhtur Lituaninë me rezultat 2-1.
Pas ndeshjeve të sontme, Grupi 2 kryesohet nga Rumania me trembëdhjetë pikë, e ndjekur nga Kosova me dhjetë pikë. Qipro është në vendin e tretë me gjashtë pikë, ndërsa Lituania mbetet pa pikë në fund të tabelës.
(E plotësuar, 21:35 ) Kosova dominon në Bukuresht po nuk shënon
Kosova e ka dominuar Rumaninë në pjesën e parë të ndeshjes në Bukuresht.
Minuta e gjashtëmbëdhjetë ka sjellë një moment të mirë për Kosovën, kur Jashari ka bërë një goditje të fortë, por që portieri rumun e ka ndalur.
Në minutën e njëzet e nëntë, Kosova ka qenë shumë pranë golit me një ku protagonistë kanë qenë Zhegrova dhe Muriqi. Fillimisht Zhegrova e ka provuar nga afër, por goditja e tij është bllokuar nga një mbrojtës rumun. Më pas, topin e kthyer e ka goditur Muriqi, por edhe përpjekja e tij është ndalur nga portieri vendas.
Nga ana tjetër, Rumania rastin më të mirë e ka pasur minutën e dyzetë, kur Stanciu e ka goditur shtyllën, duke e lënë ndeshjen të hapur për pjesën e dytë.
Nis ndeshja Rumani - Kosovë
(E plotësuar, 20:45 )Ka nisur ndeshja Rumani - Kosovë në kuadër të Ligës së Kombeve.
Në ndeshjen e parë në Prishtinë, Rumania kishte fituar me rezultat 3-0. Aktualisht, Grupi 2 në Ligën C kryesohet nga Rumania me dymbëdhjetë pikë, ndërsa Kosova ndjek me nëntë pikë, pasuar nga Qipro me tri pikë dhe Lituania pa pikë.
Rumania - Kosova, formacionet
Rumania dhe Kosova ndeshen sonte në Bukuresht në kuadër të Ligës së Kombeve. Tashmë janë publikuar edhe formacionet.























