Ilir Meta nesër del para Gjykate
BKT
Shqipëri

Ilir Meta nesër del para Gjykate

E. Hoti / RTKlive

Kryetari i Partisë së Lirisë në Shqipëri, Ilir Meta, ka reaguar lidhur me seancën që do të mbahet  nesër në Gjykatën e Apelit, ku do të shqyrtohet rivlerësimi i masës së sigurisë ndaj tij. Meta ka thënë se ka informacione se persona të paautorizuar do të zhvillojnë një protestë jashtë ambienteve të gjykatës, gjatë zhvillimit të seancës.

Ai deklaroi se forca e tij politike nuk është organizatore e këtij tubimi teksa apeloi që simpatizantët e tij të mos i bashkohen protestës.

“Siç jeni në dijeni, nesër në ora 10:00, në Gjykatën e Apelit (GJKKO) zhvillohet seanca gjyqësore me objekt revokimin e masës së paligjshme të arrestit me burg të aplikuar ndaj meje prej një muaji.Jam në dijeni të iniciativave të personave të paautorizuar nga unë apo spontane për të protestuar përpara gjykatës.Ju bëj me dije se veprime të tilla janë të padobishme dhe të dëmshme”,ka shkruar Meta në Facebook.

Meta theksoi se betejën tij ligjore e ka bazuar në parashtrimin e gjithë të vërtetave përpara gjykatës dhe denoncimin e mungesës së provave në procesin që, sipas tij, është tërësisht politik.

“Në këto kushte, çdo grumbullim apo protestë para gjykatës në ditën e gjykimit i konsideroj si shpërqendrim të opinionit publik ndaj thelbit të çështjes, ndaj ju bëj thirrje të distancoheni nga çdo iniciativë për grumbullime dhe protesta”, ka thënë ai.


MË SHUME NGA Shqipëri