Vrasja e 14-vjeçarit, Rama hedh në diskutim mbylljen e TikTok dhe Snapchat
E. Hoti / RTKlive
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se do të nisë menjëherë një këshillim të gjerë me komunitetet e prindërve në të gjitha shkollat e vendit, për adresimin e dilemës lidhur më bllokimin e plotë apo jo të Tik Tokut a Snapchatit ose të dyjave bashkë. Kjo iniciativë vjen pas shqetësimeve për rritjen e ngjarjeve tragjike, si ajo e vrasjes së një 14-vjeçari në Tiranë.
Kryeministri Rama u shpreh i shqetësuar për ndikimin negativ që këto rrjete sociale kanë te fëmijët dhe adoleshentët, duke theksuar rritjen e rrezikut të dhunës dhe bullizmit që po shtohen përmes këtyre platformave.
"Bota e Fëmijëve sfidohen orë e çast nga bota paralele e këtyre rrjeteve sociale ku nuk ka asnjë mbrojtje dhe filtër dhe asnjë stimul pozitiv për edukimin dhe deri te shëndeti mendor i të miturve vihen seriozisht në pikëpyetje. Këto janë të vërteta të thjeshta që nuk është e vështirë të biem të gjithë dakord si prindër dhe qytetarë të shoqërisë së kohës së sotme ku garantimi i sigurisë së fëmijëve është përparësia e përparësive tona. Shumë vende po përpiqen të vendosin filtra mbrojtës por ende pa rezultate të madha", deklaroi Rama.
Ai tha se shumë shtete kanë ndërmarrë hapa për të kufizuar përdorimin e rrjeteve sociale deri në moshën 16-vjeç, por efektiviteti i këtyre masave ka qenë i ulët deri tani.
“Jemi në kërkim të zgjidhjeve të mundshme për të ulur këtë presion dhe janë ndërmarrë iniciativa të ngjashme që nga Australia e deri në Spanjë për të kufizuar përdorimin e rrjeteve sociale deri në moshën 16-vjeç. Përtej këtyre debateve dhe përpjekjeve problem ende i hapur mbetet mungesa e një sistem të zbatimit të tyre si rezultat i vështirësive teknike që lidhet me disa faktorë. Dilema jonë si qeveri është nëse duhet të provojmë edhe ne të ecim në drejtim të vendosjes së filtrave kur në fakt nga eksperienca deri tanishëm në Europë mësojmë se efektiviteti i tyre është shumë i ulët, ku dhuna dhe bullizimi ndaj fëmijëve vetëm rritet apo të ndërmarrim një masë drastike për mbylljen e plotë të TikTok-ut dhe Snapchat në Shqipëri. Kemi vendosur që këtë dileme ta hedhim për një diskutim të gjerë publik te prindërit ku do angazhohen të gjitha shkollat për të marrë një vendim sa më demokratik për një problem kaq të madh dhe kompleks në zgjidhjen e vet,” tha Rama.
Rama njoftoi edhe fytjen e sistemit dixhital në shkolla që do të forcojë rolin e psikologut dhe oficerit të sigurisë pikërisht për të shmangur sa më shumë problematikat mes fëmijëve por edhe rastet e bullizmit.























