Trump emëron Pam Bondin për postin e Prokurorit të Përgjithshëm
Bardhyl Bajrami /RTK
Presidenti në ardhje i SHBA-së, Donald Trump, ka caktuar Pam Bondin për kryeprokurore të shtetit, pas tërheqjes nga emërimi i Matt Gaetzit. Veteranja Pam Bondi ka një përvojë të gjatë në zbatim të ligjit dhe ka shërbyer në pozitën e prokurores së përgjithshme në shtetin e Floridës.
“Pam ishte prokurore pothuajse për 20 vjet, ku ka qenë shumë e ashpër me kriminelët e dhunshëm dhe i ka bërë më të sigurta rrugët për familjet floridase”, ka shkruar Trump në një postim në rrjetet sociale në njoftimin për përzgjedhjen e tij.
Aleatja e vjetër e Trump-it ishte pjesë e ekipit ligjor gjatë gjykimit në Senat, për atë që njihet si ‘Impeachement’ apo gjatë gjykimit për shkarkimin e Trump-it, e gjithashtu e ka përkrahur edhe publikisht atë, duke u paraqitur në gjykatën e Nju Jorkut gjatë gjykimit të Trump-it, për paratë e dhëna për heshtje në Nju Jork.
Bondi ishte e afërt me Trump-in që nga fushata e vitit 2016, ndërsa ka vazhduar të jetë pjesë e ekipit ligjor edhe në vitin 2020.
Nëse Bondi e merr miratimin në Senat, ajo do të vijë në krye të Departamentit për Drejtësi, ku janë mbi 115 mijë të punësuar, me një buxhet prej afërsisht 45 miliardë dollarësh.
Ish-kandidati i caktuar për këtë pozitë, Matt Gaetz, hoqi dorë nga pozita pas një debati disaditorë, nëse do të publikohej një raport i Kongresit mbi akuzat e ndaj tij për sjellje të pahijshme seksuale, pretendime që ai i ka hedhur poshtë.























