Begaj mbyll takimet me faktorët politikë për datën e zgjedhjeve
N.M. /RTKlive
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka bërë të ditur se ka përmbyllur procesin e konsultimeve me faktorët politikë dhe institucional në lidhje me propozimet për datën e zgjedhjeve të përgjithshme të 2025-ës.
Begaj, në një postim në Facebook, tha se është shumë i kënaqur që i gjithë faktori politik parlamentar u përfshi me opinione dhe sugjerime në këtë proces.
“Kompetenca për caktimin e datës së zgjedhjeve i takon Presidentit të Republikës, por unë jam shumë i kënaqur që i gjithë faktori politik parlamentar u përfshi me opinione dhe sugjerime në këtë proces, si drejtpërdrejt me pjesëmarrje në takimet konsultuese, edhe në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet përcjelljes në rrugë të tjera të preferencave partiake”, ka thënë Begaj..
Presidenti thotë se nga konsultimet ka vënë re se opinionet udhëhiqeshin nga interesi më i lartë i zgjedhësve dhe jo nga përllogaritjet meskine që priten rëndom në raste të tilla.
“Caktimi i datës së zgjedhjeve për mua nuk është thjesht një detyrim kushtetues dhe as procedurë formale juridike, por është, së pari, një sprovë e fuqishme bashkëpunimi, mirëkuptimi dhe angazhimi i të gjithë faktorit politik dhe institucional në emër të zgjedhësve dhe për zgjedhësit, sikurse është një rast domethënës për të risjellë në vëmendje rëndësinë vendimtare që kanë zgjedhjet për konsolidimin e demokracisë parlamentare”, deklaroi Begaj, ndërsa bëri thirrje që në zgjedhje të shkëlqejë zbatimi i ligjit, korrektesa dhe etika në komunikimin e platformave, respekti për zgjedhësit dhe vullnetin e tyre të shprehur me votë.























