Kurti takon Gashin, flasin për realizimin e projekteve infrastrukturore
E. Hoti / RTKlive
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ku u diskutua për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve.
Sipas njoftimit nga ekzekutivi, fillimisht, kryeministri Kurti dhe kryetari Gashi zhvilluan një takim tête-à-tête, që u përcoll pastaj me një takim bilateral ndërmjet dy delegacioneve.
“Gjatë takimit bilateral të delegacioneve u diskutua për domosdoshmërinë e bashkëpunimit dhe ndërveprimit ndërmjet dy kuvendeve respektive, dhe për mundësinë e mbështetjes nga ana e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut ndaj Kosovës në forume dhe takime ku Kosova nuk është e pranishme apo e përfaqësuar”, thuhet në njoftim.
Kryeministri veçoi nevojën e ratifikimit në afat optimal të të gjitha marrëveshjeve që dalin nga bashkëpunimi bilateral, përfshirë edhe ato të Procesit të Berlinit.
“U theksua gjithashtu vlera e shtuar e protokollit dhe dy memorandumeve të mirëkuptimit që Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut nënshkruan në mbledhjen e dytë të përbashkët, e cila u mbajt më 18 nëntor në Prishtinë, si dhe intensifikimi i punës në realizimin e projekteve infrastrukturore që lidhin dy vendet”, thuhet në njoftim.























