Haradinaj në Gllogjan: Liria dhe pavarësia kërkojnë përkushtim
BKT
Lajme

Haradinaj në Gllogjan: Liria dhe pavarësia kërkojnë përkushtim

Sh.Ç/RTKlive

(E plotësuar) Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se për nder të ditës më të shenjtë të kombit shqiptar ka bërë homazhe në Memorialin e Dëshmorëve në Gllogjan.

Haradinaj në një postim në Facebook shkruan se Kosova ka nevojë për unitet dhe vizion të qartë për të ardhmen.

“Për nder të ditës më të shenjtë të kombit shqiptar, homazhet në Memorialin e Dëshmorëve në Gllogjan marrin një kuptim edhe më të thellë. Këtu, ku pushojnë heronjtë tanë, bashkëluftëtarët e mi me të cilët rrugëtuam bashkë në ditët e lavdisë, flamuri kuq e zi valëvitet krenar, duke lidhur sakrificën e tyre me betejat e Skënderbeut dhe urtësinë e Ismail Qemalit. Liria dhe pavarësia kërkojnë përkushtim të përditshëm për t’i mbrojtur dhe forcuar. Kosova ka nevojë për unitet dhe vizion të qartë për të ardhmen, për të përmbushur aspiratat e popullit dhe për të nderuar sakrificën e atyre që dhanë jetën për këtë tokë. Në këtë ditë krenarie kombëtare, zotohemi se do të vazhdojmë rrugën që nderon gjakun e sakrificën e heronjve”, ka shkruar Haradinaj.

Haradinaj: Prekazi është vendi ku merr kuptim liria

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe në kompleksin memorial në Prekaz, në kujtim e nderim të të rënëve për liri. Haradinaj ka thënë se Prekazi është vendi ku merr kuptim liria.

“Në Prekazin heroik, aty ku merr kuptim liria dhe flamuri”, është shprehur ai përmes një postimi në Facebook.Gjatë ditës, Haradinaj, ishte edhe në Boletin, duke përkujtuar figurën e Isa Boletinit.

“Në Boletin, aty ku prehet Isa Boletini, njeriu që u njoh dhe u respektua nga kancelaritë më të fuqishme të kohës, gjithnjë në mbrojtje të së drejtës së shqiptarëve që për dekada u mohua padrejtësisht, ndjeva krenarinë e përjetshme që na lë trashëgimi figura e tij”, ka theksuar ai.

Sipas tij, Isa Boletini mbetet shembull frymëzimi për të mbrojtur lirinë, identitetin dhe të drejtat.

“Ai mbetet një shembull frymëzimi për të gjithë ne, për të dashur dhe mbrojtur lirinë, identitetin dhe të drejtat tona, siç ai bëri me guxim dhe përkushtim të pashoq”, ka theksuar Haradinaj.


MË SHUME NGA Lajme