Kosovare Asllani shënon kundër Serbisë
BKT
Sport

Kosovare Asllani shënon kundër Serbisë

Uran Krasniqi / RTKLive

Futbollistja me rrënjë shqiptare, Kosovare Asllani, ka qenë protagoniste në ndeshjen e Suedisë kundër Serbisë, duke shënuar një gol në minutën e nëntëmbëdhjetë të ndeshjes.

Kombëtarja nordike ka arritur të fitojë me rezultat 6-0 në ndeshjen e vlefshme për kualifikimet e Kampionatit Evropian të vitit 2025. 

Suedia e ka filluar ndeshjen me dominim, duke kaluar në epërsi në minutën e gjashtëmbëdhjetë përmes një penalltie të realizuar nga Angeldal. Vetëm tre minuta më pas, Asllani e ka shënuar golin e dytë.

Dominimi suedez ka vazhduar kur Blackstenius ka realizuar dy herë, fillimisht në minutën e njëzet e gjashtë dhe më pas në minutën e katërt të kohës shtesë së pjesës së parë, duke e mbyllur këtë pjesë me rezultatin 4-0 në favor të Suedisë.

Në pjesën e dytë Serbia nuk ka arritur që ta përmirësojë përformancën e saj, ndërsa Suedia ka shkuar edhe më tutje, duke realizuar edhe dy herë: fillimisht përmes Bennison në minutën e pesëdhjetë e gjashtë, si dhe përmes Anvegard në minutën e nëntëdhjetë.