MZHR prezanton dokumentet analitike për zhvillim socio-ekonomik rajonal
B. H. | RTKlive
Ministria e Zhvillimit Rajonal ka prezantuar sot dokumentet analitike për zhvillim socio-ekonomik rajonal të balancuar.
Ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka theksoi që ministria që ai e drejton gjithmonë ka qenë e përkushtuar për të avancuar bashkëpunimin ndërmjet institucioneve qendrore dhe lokale, sektorit privat dhe partnerëve ndërkombëtarë.
“Ky angazhim mishërohet më së miri në dokumentet analitike që sot kemi nderin t’i prezantojmë dhe promovojmë”, tha Damka, njofton MZHR.
Ndërkohë, drejtoresha e Departamentit për Performancë dhe Analiza Rajonale, Shyhrete Kastrati, paraqiti një pasqyrë të përgjithshme të dokumenteve analitike që trajtojnë zhvillimin socio – ekonomik rajonal të balancuar, të cilat përfaqësojnë një bazë të rëndësishme për zhvillimin e politikave, planifikimin e strategjive dhe programeve për zhvillim rajonal, bashkëpunimin ndër rajonal, si dhe adresimin e sfidave për të reduktuar pabarazitë rajonale.
Sipas njoftimit, Ministria e Zhvillimit Rajonal ka hartuar për herë të parë dokumente analitike pasqyruar në shtatë rajone zhvillimore, në përputhje me ligjin për zhvillim rajonal të balancuar.
“Ky ndryshim ofron një qasje më të përshtatshme për adresimin e sfidave dhe potencialeve të secilit rajon. Po ashtu, për herë të parë janë analizuar të gjitha investimet kapitale dhe mbështetja për sektorin privat për vitin 2023, duke i pasqyruar në shtatë rajone dhe përfshirë të gjithë sektorët. MZHR mbetet e përkushtuar për të avancuar bashkëpunimin ndërmjet institucioneve qendrore dhe lokale, sektorit privat dhe partnerëve ndërkombëtarë, duke siguruar një zhvillim të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës për të gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet tutje në njoftim.























