KDI: Emërimet në Bordin e KOSTT-it, shkelje e vlerave të qeverisjes së mirë
BKT
Lajme

KDI: Emërimet në Bordin e KOSTT-it, shkelje e vlerave të qeverisjes së mirë

M.P. / RTKlive

Instituti Demokratik i Kosovës e ka quajtur shkelje të vlerave të qeverisjes së mirë, vendimin e marrë në seancën e Kuvendit të Kosovës për emërimin e anëtarëve të Bordit të drejtorëve të ndërmarrjes publike, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT).

“Së pari, emërimi i gruas së Ministrit  të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, si dhe nipit të Zëvendëskryeministrit të Parë, si anëtarë të Bordit të drejtorëve të ndërmarrjes publike, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), paraqet një shembull flagrant të nepotizmit dhe konfliktit të interesit”, thuhet në komunikatë.

IKD tutje ka theksuar se kështu cënohet integriteti i institucioneve publike, zhvlerëson edhe premtimet dhe angazhimet e partisë në pushtet për institucione të pavarura.

“Së dyti, shqyrtimi dhe miratimi i Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme në të dy leximet brenda një periudhe të shkurtër kohore, është një tjetër goditje për proceset demokratike parlamentare. Ky projektligj, i proklamuar si ndër më të rëndësishmit në luftën kundër korrupsionit, nuk do të duhej të miratohej pa konsultime publike, pa debat parlamentar dhe pa përfshirjen e publikut. Ky nxitim në miratimin e tij, lë të kuptohet se projektligji po përdoret për qëllime elektorale, në vend që të shërbejë si mekanizëm kundër pasurimit të paligjshëm të zyrtarëve publik”, vazhdon komunikata.


MË SHUME NGA Lajme