Dokumentari i RTK-së, ‘Kontributi i heshtur i grave në luftë’
Trëndelina Ramadani|RTK
Kontributi i grave në luftën e fundit në Kosovë kishte rol kyç, sidomos në fillet e UÇK-së, kur numri i ushtarëve ishte rritur. Ishin gratë të cilat u mobilizuan duke u kujdesur për ushqim, për pastrim të rrobave, qepje të uniformave e qëndisje të emblemave të UÇK-së. Të tilla ishin edhe gratë e familjes Shala nga Kleçka, të cilat strehuan shumë ushtarë, përgatitën ushqim për ta, e u kujdesën për shumë të zhvendosur.
Në fund të marsit '98, UÇK-ja vendoset në fshatin Kleçkë. Në odën e Hafir Shalës, që u kthye në shtab ushtrie. Gratë e familjes Shala me besim shërbyen për ushtarët, duke pastruar uniformat e duke përgatitur ushqim, por pa e ditur se për kë po kujdeseshin.
“Ne gratë çka kemi qenë këtu, të kësaj familje, tre muaj s’kemi shkuar as nwpër familje tona se e kemi ditur që diçka s’është puna mire. Kemi qenë të vullnetshme se i shihnim edhe burrat tanë se diçka s’është duke shkuar mirë”, tha Afërdita Shala.
Ndërkaq, Myrvete Shala tha se gjithmonë kanë qenë të gatshme me rezerva buke për ushtarët.
E Nazmije Shala tregoi se ka ndodhur që t’i gatuanin deri në 30 bukë.
Rrëfimin e vazhdoi Qerime Shala e cila tregoi se si u lante rrobat e ushtarëve, por që wshtw dashur gjithçka tw bwhej nw fshehtësi pa e ditur askush.
“ Erdh kunati më tha duhet bërë një zgjidhje, një grua për rroba me ua larë ushtarëve, Më mori mua dhe më tha shiko duhesh t’ua lashë rrobat, por nuk duhet t’i shoh jashtë askush. Edhe disa muaj i kam la brenda, i kam terë, i kam hekurosur dhe burri vinte i merrte”.
Me kalimin e javëve numri i ushtarëve rritej e bashkë me ta edhe kërkesat. Ato qëndisën me pasion emblemat e UÇK-së e flamujt kuqezi.
Ato zbutën dhimbjet e luftës edhe për shumë të zhvendosur që gjetën strehim në Kleçkë. Liruan edhe dhomat e gjumit për ta.
Gratë e vajzat e kësaj familje ishin bërë pjesë e pandashme e UCK-së, ato i përjetonin njësoj fitoret, humbjet e ushtarëve, plagosjet e rrugëtimet e tyre.
Kontributi i grave, ne luftën e UÇK- së u ndje si një dritë në gjithë Kosovën. Në luftë ishin mbështetje, heroina të heshtura që shkruan historinë.























