Serbia dënon Nezir Mehmetajn me 6 vjet burgim
BKT
Lajme

Serbia dënon Nezir Mehmetajn me 6 vjet burgim

Anamari Repic / Beograd / RTK

Shtetasi i Kosovës, Nezir Mehmetaj, u dënua më 6 dhjetor nga Gjykata e Lartë në Beograd për krime lufte kundër popullsisë civile, në bashkëpunim, në fshatin Rudicë të Kosovës në vitin 1999.

Ky është një vendim i shkallës së parë, dhe në dënimin e shqiptuar do të llogaritet koha e kaluar në paraburgim që nga 4 janari 2020, kur ai u arrestua.

Gjykata e Lartë në Beograd mori një vendim të shkallës së parë, duke e shpallur Mehmetajn fajtor për kryerjen e krimeve të luftës kundër popullsisë civile.

“Më 06 dhjetor 2024, Gjykata e Lartë në Beograd, Departamenti për Krime Lufte, shpalli publikisht aktgjykimin, me të cilin i pandehuri Nezir Mehmetaj u shpall fajtor për kryerjen e veprës penale të krimeve të luftës kundër popullsisë civile në bashkëpunim, sipas nenit 142, paragrafi 1 të Kodit Penal të RFJ-së, në lidhje me nenin 22 të të njëjtit kod,” njoftoi Gjykata e Lartë në Beograd.

Në dënimin e shqiptuar do të llogaritet koha e kaluar në paraburgim. “Ndaj të pandehurit Nezir Mehmetaj u zgjat masa e paraburgimit, e cila llogaritet nga 4 janari 2020, kur ai u privua nga liria, deri në dërgimin e tij në institucionin për vuajtjen e dënimit, por jo më gjatë se sa kohëzgjatja e dënimit të shqiptuar me këtë aktgjykim”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Mbrojtja e Mehmetajt thekson se gjykata nuk ka pranuar provat që tregojnë se ai nuk ishte fare në fshatin Rudicë në atë kohë, por në Zvicër, dhe se po i atribuohen vepra të kryera pas qershorit 1999, kur lufta kishte përfunduar.

Marina Klajiq nga Fondi për të Drejtën Humanitare, që monitoron gjykimet, thotë se i gjithë procesi ka zgjatur shumë gjatë, sepse i pandehuri është në paraburgim që nga janari i vitit 2020, plot pesë vite.

“Është humbur shumë kohë për shkak se prokuroria ka kërkuar dëshmitarin kryesor të mbrojtur. Nga ana tjetër, gjykata ka pasur përpara një aktakuzë që e ngarkon Nezir Mehmetajn me pesë pika, një aktakuzë të rëndë dhe ka pasur në dispozicion shumë pak prova. Nga këto pesë pika të aktakuzës, Mehmetaj është shpallur fajtor vetëm për njërën”, tha ajo.

Sipas Klajiq, Gjykata e ka dënuar Mehmetaj se ai, bashkë me anëtarë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ka marrë pjesë në qershor të vitit 1999 në rrëmbimin e civilit të kombësisë rome, Ramadan Jelaj, në fshatin Rudicë, Komuna e Klinës, mbetjet e të cilit ende nuk janë gjetur.

Gjithashtu, sipas saj, Gjykata ka konstatuar se nuk a prova të mjaftueshme për katër pikat tjera të aktakuzës.

“Gjykata ka vlerësuar se nuk ka prova të mjaftueshme për pjesëmarrjen e tij në dërgimin e anëtarëve te familjes Dashiq të cilët u dërguan në një vend të panjohur, mbetjet e tyre nuk janë gjetur ende, njëjtë është edhe për Zorka Shilakoviq, si dhe për plaçkitjen dhe djegien e shtëpive në korrik të vitit 1999, të cilat i përkisnin joshqiptarëve, dhe se ka detyruar me dhunë një grup romësh të hapnin një grope”, thotë Klajiq.

Ajo tregon se në fund gjykata ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet që të shpallet fajtor për një pikë të aktakuzës.

“Vendimin përfundimtar do ta marrim vesh nga Gjykata e Apelit”, thekson Klajiq duke shtuar se në këto raste shihet “mungesa e bashkëpunimit mes Serbisë dhe Kosovës”.

Nezir Mehmetaj u arrestua nga policia serbe më 4 janar 2020 në pikën kufitare në Merdare, sipas një urdhërarresti të autoriteteve serbe. Prokuroria për Krime Lufte ngriti aktakuzën më 30 qershor 2020. Vendimi nuk është përfundimtar dhe ndaj tij lejohet apel në Gjykatën e Apelit në Beograd.


MË SHUME NGA Lajme