Në përvjetorin jubilar, krerët e Komiteteve Olimpike mysafirë në Kosovë
V.S|RTKlive
Në dhjetë vjetorin e pranimit të Kosovës me të drejta të plota në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, sot kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka qenë nikoqir i takimit të dy drejtuesve më të lartë të Komitetit Olimpik ndërkombëtar e Presidentin e Komitetit Olimpik të Evropës.
Nga Kosova ata morën falënderime të shumta për rolin që kishin në pranimin e Kosovës në komunitetin ndërkombëtar të sportit
Kreu i ekzekutivit me mysafirët foli për sukseset e sportistëve kosovarë në Lojërat Olimpike, Rio 2016, Tokio 2020 dhe Paris 2024, që vendit i sollën pesë medalje olimpike, tri të arta, një të argjendtë dhe një të bronztë.
Kjo sipas kryeministrit ka dëshmuar që anëtarësimi i Kosovës në IOC ia ka vlejtur dhe sportistët nga Kosova kanë gjithë potencialin për të kontribuar në arenën ndërkombëtare të sportit.
“Gjatë takimit u diskutua edhe rreth organizimit të edicionit të 21-të të Lojërave Mesdhetare, për të cilat nikoqire do të jetë Republika e Kosovës, për çka Presidenti Bach përgëzoi vendin tonë. Kryeministri Kurti dhe zëvendësministrja Osmani nënvizuan rëndësinë e këtyre lojërave për promovimin e vendit dhe nxitjen e bashkëpunimit rajonal, si dhe për sportistët dhe sportin vendor, si përfitues të drejtpërdrejt nga investimet në infrastrukturën sportive në vend, që parashihen të jenë rreth 250 milionë euro. Ndër të tjera, theksuan edhe reformën legjislative për sportin, përfshirë këtu miratimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillimin e Sportit dhe programet që po zbatohen në shkolla, si ai "Sporti në Shkolla", bëhet e ditur në njoftimin qeveritar.

Ndërkohë, aty thuhet se presidenti, Thomas Bach falënderoi kryeministrin për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Komitetit Olimpik të Kosovës dhe sportit në përgjithësi.
Bach e Kurti do të takohen sërish në mbrëmje, por si pjesëmarrës në ceremoninë festive të përvjetorit jubilar të pranimit të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.























