Munter: SHBA nuk do të ketë më qasje tradicionale ndaj Kosovës dhe Serbisë
REL
Ish-diplomati amerikan, Cameron Munter, thotë se negociatat mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, nuk mund të vazhdojnë pa ndryshuar asgjë, “nëse nuk duam t’i kalojmë edhe 15 vjet të tjerë duke pritur”.
Ai beson se rikthimi i Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë do të imponojë patjetër ndryshim të strategjisë, pasi, siç thotë, Trump do marrëveshje.
“Synim i tij nuk është t’i fusë serbët dhe kosovarët në Bashkimin Evropian. Synim i tij është ta bëjë më të mirën për Shtetet e Bashkuara, ta bëjë Amerikën sërish madhështore”, thotë Munter në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë.
Sipas tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka avantazhe dhe disavantazhe në raport me presidentin e zgjedhur, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka punuar në krijimin e lidhjeve personale me njerëzit e administratës së tij.
Munter ishte ambasador i SHBA-së në Serbi, kur Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008.
Ai thotë se nuk jam adhurues i madh i gjetjes së fajtorit, por i gjetjes së zgjidhjes. Ndaj, dëshiron të bëj disa vlerësime se çfarë ka shkuar keq dhe çfarë mund të ketë shkuar mirë.
“Unë mendoj se fokusi ka qenë në gjëra të vogla, në detaje - qofshin ato targa të makinave apo dokumente... Këto natyrisht se janë të rëndësishme në jetën e përditshme. Por, unë kam ndjesinë se duhet të zgjerohet diapazoni dhe kjo të mos trajtohet vetëm si çështje e Kosovës dhe Serbisë. Sepse, në të gjithë Ballkanin Perëndimor ka çështje shumë të mëdha dhe sa më shumë që zhytemi në detaje, aq më pak përparim bëjmë. Megjithatë, do ta thyej pak rregullin tim dhe do ta fajësoj pak Bashkimin Evropian, ku ka një tendencë për t’u marrë me detaje dhe jo me strategji të shkallës së gjerë”, ka thënë ai.
Ai mendon se strategji në shkallë të gjerë do të ishte sikur t’i shqyrtonimn të gjitha çështjet në rajon, e jo vetëm çështjet institucionale.
Sipas tij BE-ja brengoset për imigrimin. Brengoset për energjinë. Brengoset për infrastrukturën. Këto janë çështje që Ballkani mund të ndihmojë të zgjidhen.
“Nëse do të merreshim me to, më shumë sesa me detaje të vogla, mendoj se do të bënim më shumë përparim, sepse ato janë në interesin e të gjithëve, jo vetëm të Kosovës dhe të Serbisë, por edhe të Bashkimit Evropian, e madje edhe të SHBA-së.Pra, përgjigjja ime për ju është: nëse duam të ketë përparim mes Kosovës dhe Serbisë, ai duhet të nxirret nga zgjidhja e çështjeve të mëdha”, ka thënë Munter.
Ai ka thënë se procesi aktual duhet të ndryshojë dhe mendon se do të ketë një shtysë për ta ndryshuar atë me ardhjen e administratës së re në Uashington.
“Administrata e re në Uashington nuk është mike e Bashkimit Evropian. Donald Trump nuk është dikush që mendon shumë për Bashkimin Evropian. Donald Trump nuk brengoset, ai do marrëveshje. Ai do marrëveshje me Serbinë, me Hungarinë, me Rumaninë... Nuk ka rëndësi. Ai do marrëveshje dhe nuk është strategjik. Kjo do të thotë se mënyra tradicionale strategjike me të cilën kanë biseduar Bashkimi Evropian dhe gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, nuk është më qëllim i Donald Trumpit. Atij nuk i intereson nëse dikush do të hyjë ndonjëherë në Bashkimin Evropian. Atij i intereson arritja e një marrëveshjeje. Unë mendoj se njerëzit që jetojnë në rajon, njerëzit që punojnë në rajon, duhet ta kenë parasysh se qasja e deritashme nuk do të funksionojë më - nuk do të ketë më një Gabriel Escobar [ish-i dërguar i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor] që e mbështet Mirosllav Lajçakun [përfaqësues i posaçëm i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi]”, ka thënë pos tjerash Munter për REL.























