Veliaj mohon pretendimet e Berishës se u arratis nga Shqipëria
RTKlive
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka mohuar pretendimet se është arratisur nga Shqipëria, një ditë pasi u intervistua për pesë orë nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për një hetim pasuror.
Ishte kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili publikoi një foto të Veliajt në aeroplan, duke aluduar se po arratisej nga drejtësia, por kryebashkiaku i Tiranës sqaron se ka udhëtuar drejt SHBA-së për takime që tashmë kanë qenë të planifikuara.
“O Sali, o kërmë, që paske dhënë lajmin se jam arratisur nga Shqipëria, meqë ndonjë nga çimkat e tua më paska parë në avion. Po shkoj në Amerikë, për takime që i kam lënë prej kohësh, se jam kryetari i Bashkisë së Tiranës, dhe nuk jam Non Grata, o fundërrinë e historisë, që u bërë stërgjysh dhe sa më shumë zhubravitesh në atë surratin e lig, aq më shumë qelb Tiranën me gojën tënde. Nuk iki unë nga Shqipëria, o kërmë, se kam ardhur nga Amerika kur isha 20 vjet më i ri, që të jepja një dorë për ta nxjerrë vendin tim nga llumi ku e zhyte ti me shokë! Dhe nuk më përkulin mua as letrat anonime, si në kohën e partisë, që të bëri ty persekutorin që je sot e gjithë ditën, as kushdo tjetër që shuan epshet e veta nëpër ekranet dhe rrugët e Tiranës, duke u marrë me familjen time, as fantazitë e sëmura të veshura me kostumet e karnavaleve të kësaj historisë sime në gjykatën e ekraneve dhe rrjeteve sociale”, ka shkruar Veliaj në Facebook.
Ai ka thënë se do të kthehet pas dy ditësh në Shqiopëri, teksa nuk e ka kursyer gjuhën e ashpër ndaj Berishës.























