Meta jep sqarime në SPAK për lobimet në SHBA
Sh.Ç/RTKlive
Kreu i Partisë së Lirisb, Ilir Meta ka dhënë sqarime në SPAK për çështjen e lobimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përgjatë kohës kur drejtonte LSI-në.
Përmes një reagimi në Facebook, Meta ka theksuar se ai nuk mundi të fliste për mediat teksa ndodhej me pranga në duar dhe është shoqëruar sërish në qeli.
“Falënderoj mediat që më njoftuan dje se do të thirresha sot në SPAK, pasi ende nuk kam një dokument zyrtar njoftimi për t’u paraqitur. Megjithatë, unë isha sot i gatshëm të shkoja në seancë, që në ora 10:00, siç u bë njoftimi vetëm nga mediat dhe vonesa ndodhi vetëm për shkak të SPAK. U kërkoj ndjesë gazetarëve që nuk m’u dha leja që kërkova, që edhe me pranga dhe i shoqëruar, t’u përgjigjesha çdo pyetje të tyre", ka shkruar Meta.
Meta ka theksuar se ka dhënë sqarime shumë të qarta, me sjellje transparente, për të gjitha pyetjet që i janë bërë, duke sqaruar edhe njëherë në respektin e plotë ndaj të gjitha ligjeve shqiptare dhe amerikane për çështjen e lobimit.
Më tej ai vë në dukje se iu ka bërë pyetje specifike prokurorëve të SPAK-ut duke nisur me ndalimin dhe arrestimin e tij e deri te çështja ‘McGonigal’ e kryeministrit Rama.
“Por më lejoni t’ju sqaroj se ishte një seancë me pyetje reciproke, ne ju përgjigjëm të gjitha pyetjeve të tyre, ata ju shmangën “për moskompetencë” pyetjeve tona. Pyetja jonë e parë ishte se çfarë bëhet me kallëzimin tonë të dorëzuar më 6 dhjetor në SPAK lidhur me rrëmbimin kriminal dhe banditesk. Meqenëse ata ishin të interesuar për çështjen e lobimeve, pasi ju përgjigja të gjitha pyetjeve të tyre, si president i Partisë së Lirisë, forcës së dytë opozitare në vend, u bëra unë dy pyetje që kanë të bëjnë me interesin e lartë publik, konkretisht me çështjen e lobimeve të paligjshme", ka shkruar ai.























