Bajrami: Kurti si kryeministër ushtroi edhe pozitën e drejtorit të KEK-ut
BKT
Lajme

Bajrami: Kurti si kryeministër ushtroi edhe pozitën e drejtorit të KEK-ut

V.S|RTKlive

Ish- ministrja e Financave, Hykmete Bajrami ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se duke qenë në krye qeverisë, sipas saj, ushtroi edhe pozitën e drejtorit të KEK-ut.

“Ligji për Ndërmarrje Publike, nuk lejon të bëhesh drejtor në ndërmarrje publike nëse në 36 muajt e fundit ke mbajtur ndonjë post politik. Ndërsa, Albin Kurti, duke qenë kryeministër i vendit, për një çast jo vetëm që ushtroi pozitën e drejtorit të KEK-ut, por edhe atë të drejtorit të burimeve njerëzore”, ka shkruar ajo.

Tutje Bajrami ka drejtuar akuza se KEK-u si ndërmarrje publike u shndërrua në instrument të fushatës zgjedhore.

“Para dy ditësh në KEK, Kurti shpërndau 220 kontrata punësimi, duke e shndërruar një ndërmarrje publike në instrument të fushatës së tij zgjedhore. Këto punësime, të maskuara si “në funksion të mihjes dhe prodhimit të qymyrit” siç e tha ai vetë, janë asgjë më shumë se një përpjekje e pastër për të fituar mbështetje elektorale me metoda të paligjshme - komplet të paligjshme”, thtosi ajo.

Gjithashtu Bajrami tha se edhe në SHSKUK janë paralajmëruar punësime të reja për pozitat që sipas saj deri në 10 vite u mbajtën me ushtrues detyre.

“Drejtori i SHSKUK-së, para katër ditësh paralajmëroi hapjen e një konkursi për 370 pozita që kanë qenë të mbajtura nga ushtrues detyre për më shumë se 10 vite. Pyetja është: Pse këto pozita u ruajtën për kaq gjatë dhe po shpallen pikërisht tani, në prag të zgjedhjeve? Është e qartë se ky konkurs nuk ka për qëllim reformimin e sistemit shëndetësor, por është një tjetër mashtrim dhe manipulim elektoral”, ka shkruar tutje ajo.

 


MË SHUME NGA Lajme