PZAP-ja e hedh poshtë ankesën e VV-së për certifikimin e Listës Serbe
G.K/RTKlive
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e ka hedhur poshtë ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje për certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Sipas vendimit të PZAP-it, ankesa e VV-së u konsiderua e palejueshme, pasi nuk përmbushte kërkesat ligjore.
“HUDHET poshtë e palejuar ankesa Anr. 16/2025 e datës 08.01.2025, e paraqitur nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), me seli në Prishtinë, paraqitur kundër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, KQZ, me të cilën ka kërkuar që të anulohet Vendimi i KQZ-së Nr. 01/2328-2024, i datës 31.12.2024, dhe të urdhërohet KQZ, të nxjerr vendim”, thuhet në vendimin e PZAP-së.
PZAP ka argumentuar se sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Rregullores së PZAP-së për procedurën e paraqitjes së ankesave, vetëm përfaqësuesit e Vetëvendosjes në KQZ mund të paraqisnin një ankesë të tillë, nëse konsideronin se u ishte cenuar ndonjë e drejtë.
Lëvizja Vetëvendosje dorëzoi më 2 janar një ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për certifikimin e subjektit politik, Lista Serbe, duke thënë se " se vendimi për certifikimin e Listës Serbe është kontrabanduar kundërligjshëm në mbledhjen e fundit të KQZ-së".
Vendimin e plotë të PZAP-së mund ta lexoni KËTU.
























