Holstein Kiel, fitore historike ndaj Borussia Dortmund
BKT
Sport

Holstein Kiel, fitore historike ndaj Borussia Dortmund

Uran Krasniqi / RTKLive

Holstein Kiel ka regjistruar fitoren më të madhe në historinë e klubit, duke mposhtur kampionin e tetëfishtë të Gjermanisë, Borussia Dortmund, me rezultat 4-2 në takimin e parë mes dy ekipeve në Bundesliga.

Skuadra e Marcel Rapp e ka dominuar pjesën e parë, duke krijuar një epërsi 3-0.

Shuto Machino e ka hapur serinë e golave rreth minutës së tridhjetë me një finalizim të saktë, ndërsa Phil Harres e ka dyfishuar avantazhin me një goditje me kokë pas një harkimi nga Lasse Rosenboom. Performanca e lartë e vendasve ka vazhduar, me Harres që ka asistuar për Alexander Bernhardsson, i cili ka realizuar golin e tretë për të përmbyllur një pjesë të parë.

Dortmund ka reaguar në pjesën e dytë. Giovanni Reyna ka shënuar golin e parë për miqtë me një goditje të saktë, ndërsa Jamie Gittens ka realizuar golin e dytë, duke rikthyer shpresat për një përmbysje dramatike.

Megjithatë, kur pritej që Dortmund të barazonte, Kiel ka shënuar golin vendimtar. Me portierin Gregor Kobel të avancuar për të ndihmuar në një goditje nga këndi, Jann-Fiete Arp ka fituar topin, duke realizuar në portën e zbrazët dhe duke vulosur triumfin e Kiel.

Pas kësaj ndeshje, në tabelën e kryesuar nga Bayern Munich, Dortmund gjendet vetëm në pozitën e nëntë, ndërsa Kiel në pozitën e shtatëmbëdhjetë.