PD kërkon ndërhyrjen e AMF-së, shkak rritja me 30% e tarifave të sigurimeve
RTKlive
Partia Demokratike (Shqipëri) i bën thirrje Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare të ndalojë rritjen e pajustifikuar të sigurimeve të automjeteve dhe të mbrojë qytetarët nga abuzimet e tregut.
Sekretarja e Marrëdhënieve me Publikun, Jola Hysaj, kërkon publikimin e arsyeve të rritjes dhe masa për të mbështetur shtresat më të prekura.
“Rritja me 30% e çmimeve të sigurimeve të detyrueshme për automjetet është një barrë e rëndë për secilin prej jush sepse pagat i keni të ulëta dhe kostot po u rriten çdo ditë. Shqipëria ka sigurimet më të shtrenjta në rajon. Dhe ja ku vjen një shtesë tjetër për kurrizin tuaj. Ky është një tregues i qartë i braktisjes së qytetarëve nga institucionet që duhet t’i mbrojnë”, tha ajo.
Sipas saj, më të prekurit nga kjo rritje do të jenë shoferët e rinj, ata të cilët e kanë edhe më të vështirë ta përballojnë.
“Ky është një taksim i dyfishtë për ta dhe prindërit e tyre. Në emër të Partisë Demokratike i drejtohem Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF): Ndërhyni menjëherë: Ndalni abuzimet dhe rritjet e pajustifikuara të çmimeve. Qytetarët nuk mund të jenë burim fitimi për kompanitë e sigurimeve. Publikoni të vërtetën: Bëni transparencë të plotë mbi arsyet e kësaj rritjeje. Qytetarët kanë të drejtë të dinë përse po paguajnë çmime që janë rekord në rajon. Mbroni qytetarët në nevojë: Krijoni masa për të lehtësuar barrën e atyre që janë më të prekur nga rritja e kostove, sidomos të rinjtë dhe të pamundurit. . Vendosni përgjegjësi: Shmangni propagandën dhe përqendrohuni në detyrën tuaj kryesore – mbrojtjen e interesave të qytetarëve dhe jo të grupeve të interesit”, tha ajo.
Duke shtuar se rritja e çmimeve të sigurimeve është një simptomë e mungesës së plotë të mbikëqyrjes dhe planifikimit.
“Në vend që të mbështesin qytetarët, institucionet kanë zgjedhur të qëndrojnë indiferente, duke i lënë të përballen me një treg që vepron sipas dëshirës. Sot jeni përballë një qeverie që bën propagandë në vend që të marrë përgjegjësi. Që u rrit çmimet nga buka deri te siguracioni i makinës, që takson jetën dhe vdekjen, që u merr shpirtin. Të mos i lejojmë të vazhdojnë në kursin e varfërimit tuaj dhe pasurimit të vetes dhe oligarkëve të oborrit”, tha ajo.























