RTK në pritje të përgjigjes nga KPM
RTK
RTK sqaron situatën e krijuar lidhur me debatin e mbrëmshëm, ku përfaqësuesi i Koalicionit për Familjen, ish-deputeti Visar Korenica e ka lëshuar studion e RTK-së në mënyrë demonstrative, duke pretenduar se ky medium ua ka ndaluar transmetimin e spotit pa pagesë.
Për hir të transparencës, dëshirojmë ta informojmë opinion publik se sapo ka pranuar spotin pa pagesë nga Koalicioni për Familjen, RTK ka ndërmarrë këto veprime:
Shqyrtim i detajuar i përmbajtjes së spotit pa pagesë, për të verifikuar se a është në përputhje me politikat editoriale dhe kodin etik të RTK-së. Pas identifikimit se i njëjti bie ndesh me standardet profesionale të RTK-së, mediumi ka kontaktuar subjektin politik duke kërkuar ofrimin e një versioni të ndryshuar të përmbajtjes.
Koalicioni për Familjen e ka kthyer këtë përgjigje: ”Faleminderit shumë për informacionin. Do të flasim me përfaqësuesit e koalicionit dhe do ta diskutojmë këtë pjesë”.
Po ashtu, është kërkuar edhe ndihma e organit rregullativ, KPM-së. Megjithatë, deri më tani nuk kemi pranuar asnjë përgjigje.
"Zyra Ligjore e RTK-së ka vlerësuar se spoti shkel standardet profesionale të mediumit, respektivisht nenin 13.2 dhe 1.10, ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, neni 34, paragrafi 1.11 dhe kodin e mirësjelljes për subjektet politike, nenin 4, paragrafi 4.1, si dhe kapitullin e të drejtave fundamentale të Bashkimit Evropian, në nenin 21. Megjithatë, kjo zyrë ka udhëzuar që të merret mendimi nga KPM, në mënyrë që të ruhen standardet e larta profesionale", theksohet në sqarimin për opinion nga RTK.
Pas situatës së mbrëmshme të përfaqësuesit të Koalicionit për Familjen, ne kemi përsëritur kërkesën për udhëzim drejtuar KPM-së.
Kujtojmë se ky subjekt politik, më 17 janar, përballë analistëve ka shpalosur programin e tij në RTK në kohëzgjatje 1h 46’.
Çdo aktivitet i paralajmëruar nga Koalicioni për Familjen është mbuluar nga ekipet e RTK-së që nga fillimi i fushatës dhe do të mbulohet deri në përmbyllje të saj.
RTK kërkon nga subjektet politike që ta shmangin presionin ndaj saj, duke u zotuar se mediumi do të jetë i publikut dhe se do të punojë duke respektuar legjislacionin e Republikës së Kosovës. Ne sigurojmë që për çdo përmbajtje të materialeve politike që do të transmetohen në RTK, do të respektohen normat e etikës, duke mos nxitur urrejtje apo diskriminim.
RTK-ja është e të gjithë qytetarëve, pa asnjë dallim!























