Rama: Bektashizmi, monument i gjallë kulturem, ta mbrojë shteti shqiptar
BKT
Shqipëri

Rama: Bektashizmi, monument i gjallë kulturem, ta mbrojë shteti shqiptar

RTSH

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë ceremonisë për 95-vjetorin e vendosjes së Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve në Shqipëri, theksoi se “bektashizmi është një monument i gjallë kulture, që duhet të mbrohet medoemos nga shteti dhe populli shqiptar”.

Kreu i qeverisë deklaroi se bektashizmi është një thesar shpirtëror për të gjitha komunitetet fetare në vend.

Në fjalën e tij, Rama tha se “është privilegj të marr fjalën në këtë përvjetor jubilar të krijimit të qendrës botërore të Bektashizmit në Shqipëri dhe të përcjell qoftë shprehjen e admirimit për rolin e bektashinjve shqiptarë në zgjimin e ndërgjegjes kombëtare dhe përpjekjen shqiptare për pavarësi. Qoftë edhe shprehjen e solidaritetit për vështirësitë gjithnjë e më të madha, unikale në llojin e tyre me të cilat përballen në ditët tona ata që sot e gjithë ditën mbajnë ndezur flakën e këtij besimi”.

Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se “Bektashizimi erdhi me një mesazh që është rrëqethës për nga thjeshtësia e vet. Në shek. 15 apo 16 bektashinjtë u vendosën edhe në trojet tona, duke na sjellë edhe një mënyrë të re jetese. Për vetë bektashinjtë nuk kishte asnjë trajtim të veçantë dhe kur më pas teqetë u bënë shkollat shqipe. Nëse sot ne flasim shqip dhe sot alfabeti ynë është latin, nuk është grek, nuk është sllav, por latin, kjo i detyrohet ndër të tjera në mënyrë shumë të posaçme teqeve ku baballarët krijuan një rrjet të tërë të përcjelljes së alfabetit të shkrimit dhe këndimit të gjuhës. Bektashinjtë njihen zyrtarisht falë përpjekjeve të kohëve të fundit të Baba Mondit ka një njohje edhe në Kosovë dhe Maqedonia e Veriut, por Shqipëria e përcaktuar prej tyre, u bë trualli i mbijetesës së një komuniteti fetar që përndryshe mund të ishte zhdukur. Për shqiptarët ky është një testament kombëtar”.

“Gjithkush duhet ta shohë si detyrim për të mos e lënë të vdesë dhe për t'i garantuar vazhdimësinë e jetës, frymës së ngjizur në fletoren e bektashinjve të shkruar nga Naim Frashëri, dora vetë”, tha kreu i qeverisë.

“Askush që flet shqip dhe që është shqiptar prej vërteti, se ka edhe disa që flasin shqip dhe Allahu na ruajt ne prej tyre, dhe Allahu u bëftë derman mendjes së tyre, por shyqyr Allahut dhe lavdi Zotit janë pak shumë. Dhe ngaqë nuk kuptojnë pa u munduar, flasin pastaj shumëçka që është t’ju ridrejtuar Allahut me lutjen që t’ju bëjë derman edhe për mendjen e tyre. Fletoren e Bektashinjve lexohet shpejt dhe t’i thotë të gjitha ato që ke nevojë për të mos u ngatërruar dhe për të mos i vendosur shkopinjtë në rrota një karvani që i ka ardhur koha të ndalet dhe të hapë këtë portë të shpëtimit dhe prosperitetit krah për krah me komunitetet e tjera për komunitetin bektashi."

“Bektashizmi këtu nuk mund të vdesë si një jetim që shqiptarët i tregojnë rrugën”, theksoi ai.

Ndërsa shtoi se “do të ishte vrasja me duart tona e të gjithëve ne e një vlerë shpirtërore që siç është brenda nesh sot duhet t'i përcillet brezave”.

"Ka një arsye," u shpreh Rama, "pse këtu u bë trualli i mbijetesës së një komuniteti fetar që përndryshe do të ishe zhdukur."

“Nuk është thjesht një fakt historik, për shqiptarët ky është një testament kombëtar. Është testament i një fuqie që nuk vjen nga ndarjet për shkak se ne jemi të ndryshëm, por vjen nga uniteti i të ndryshmëve për shkak se ne jemi një lloj shqiptarë. Bektashizmi është një thesar shpirtëror jo vetëm për bektashinjtë, por edhe për myslimanët, edhe për katolikët, ortodoksët, e për çdokënd tjetër që nuk beson në Zot, por i thotë vetes shqiptar.Të gjithë të tjerët janë me shumë vëllezër e shumë motra, nga një cep i globit në një cep tjetër, bektashinjtë janë vetëm. Dhe nëse erdhën këtu 95 vite më parë si jetimë, të një perandorie që iu tregoi derën, bektashizmi këtu nuk mund të vdesë si një jetim që shqiptarët i tregojnë rrugën.”

Kryeministri deklaroi se askush s’ka pse i trembet idesë së këtij statusi të posaçëm të Selisë së Kryegjyshatës Botërore.

“S’ka nevojë të mendojë komuniteti mysliman se do të jetë inekzistent, nuk shuhet komuniteti katolik apo ortodoks, ky komunitet është në rrugën e shuarjes, nuk është parashikim, po ndodh para syve tanë, dhe prandaj historia e bektashinjve është në vetvete thirrja imponuese për t’i dhënë selisë përmes një statusi të ngjashëm si të Vatikanit fuqinë e një embleme, e cila nuk do të përçajë askënd, s’do të kërcënojë askënd, s’do vërë në diskutim, se ça nuk dëgjon njeriu nga shqipot kur u shkon mendja për të bërë ndonjë gjë të re. Shqipëria nuk është shtet federal, por unitar. Komunitetet fetare s’kanë arsye të shqetësohen, trajtim i merituar që ka qendrën botërore në Shqipëri, të tjerët do e kishin shpikur kur s’e kishin, ne e kemi gati që ta lëmë të vdesë?! I jep Shqipërisë edhe më shumë dritë, do të thithë këtu më shumë njerëz nga e mbarë bota, mos shiko fenë e tjetrit shiko zemrën e tij, thotë profeti Muhamed, në këto fjalë të një thjeshtësie madhështore qëndron, ne nuk jemi për të ndarë, por për të bashkuar”.

95-vjetori i Kryegjyshatës: "Domosdoshmëri, stabilizimi i Statutit të Urdhrit Bektashian"

Përkujtohet sot 95-vjetori i vendosjes së Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve në Shqipëri.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, Kryegjyshi Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, u shpreh shpresëplotë se ky vit do të jetë viti i plotësimit të një domosdoshmërie për komunitetin bektashian në Shqipëri, që është stabilizimi i Statutit Juridik të Urdhrit Bektashian.

“25 Janari është një ngjarje e shënuar për bektashizmin, veçanërisht për bektashianët shqiptarë. Ky përvjetor i shënuar, përkon me një ndërmarrje tejet të rëndësishëm për një status më të plotë zyrtar të këtij besimi të plotë, me shtrirje numerike e gjeografik, pothuaj në gjithë botën. Kjo që ne përkujtojmë sot, 95-vjetori i ardhjes nga Turqia në Shqipëri i Qendrës Botërore Bektashiane, nga ish-Kryegjyshi Botëror Bektashian, Sali Niazi Dede. Një ngjarje e rëndësishme për bektashizmin e më gjerë. Sali Sali Njazi Dedei, i cili erdhi në Shqipëri me një vizion të qartë dhe plotë shpresa se Qendra Botërore e Bektashinjve, duke u vendosur në jugperëndim të Evropës të krishterë, në paqe dhe bashkëjetesë me besimet e tjera fetare, por dhe do të kontribuonte në harmoni midis feve, siguron e forcon mbijetesë, forcon më tej paqen e bashkëjetesën. Me gjithë vështirësitë që koha solli, brezat e klerikëve bektashian, dhanë e po japin kontributin, në misionin tonë ‘Pa atdhe, nuk ka fe’. Me ndihmë ne qeverisë e faktorëve të tjerë, ne besojmë që ky mision do te gjej hapësira më të mëdha në përmbushje të tij,” pohon Dede Edmond Brahimaj.

Gjithashtu në fjalën e tij të rastit ai theksoi, se “ne përkujtojmë këtë përvjetor në dy shenja të mbara të fillimit të vitit, Nga njëra anë takimi ynë historik me shenjtërinë e tij Papa Françesku në një Kuvend vëllazëror që pati për kryefjalë paqen dhe harmoninë mes besimeve. Për komunitetin tonë bektashian kryefjalë të tilla i konsiderojmë mesazhe të shenjta,” theksoi ai.

“Ne shprehim mirënjohjen tonë qeverisë shqiptarë dhe veçanërisht kreut të saj," duke shtuar se, “që është treguar i vëmendshëm i ndjeshëm ndaj kësaj domosdoje, duke afruar mundësinë për një zgjidhje sa më të përshtatshme të statutit në fjalë.”

"Ngjarje historike! Në rrethanat e vështira, bektashianët u vunë në shërbim të saj duke sakrifikuar edhe jetën për të," vijon Baba Mondi, duke shtuar se, “kontributi vijoi deri në çlirimin e vendit e duke mos u ndalur deri në ndalimin e fesë në Shqipëri.”

“Shpresojmë të jetë vit i përmbushjes së domosdoshmërisë për stabilizimin e Statutit Juridik të Urdhrit Bektashian. Stabilizimi i mundshëm i një Statuti Juridik Ndërkombëtar të Urdhrit Bektashi dhe Kryegjyshatës botërore të tij do ti kujtohej prej nesh jo vetëm si dëshmi me shumë mirëkuptim nga ana e shtetit shqiptar ndaj komunitetit tonë por edhe si një faktor i ri për forcimin e mirëkuptimit dhe harmonisë mes komunitetit tonë dhe komuniteteve të tjera fetare në Shqipëri dhe në botë. Madje përforcimi dhe mirëkuptimi edhe për një tjetër komunitet që ndodh ta harrojmë, atë të jobesimtarëve që e respektojmë, ashtu si kundër presim prej tij respektin e ndërsjellët. Zoti na bekoftë të gjithëve," u shpreh Baba Mondi.


MË SHUME NGA Shqipëri