Peter Sorensen emërohet edhe formalisht emisar evropain për dialog
Gjeraqina Tuhina / RTK, Bruksel
(E përditësuar 18:20) Nga java tjetër, me procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës e Serbisë, do të merret diplomati nga Danimarka, Peter Sorensen, i cili edhe formalisht u emërua në postin e emisarit evropain për dialog.
Emërimin e tij e konfirmoi shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, e cila edhe e ka propozuar fillimisht Peter Sorensenin për përfaqësues të veçantë për dialog.
“Në Ballkanin Perëndimor ne vazhdojmë të kemi prioritet stabilitetin. Dhe unë jam e lumtur të ju njoftoj se Këshilli sot emëroi Peter Sorensen si përfaqësues të veçantë të BE-së për dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës”, tha Kaja Kallas përfaqësuese e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri.
Konfirmimi formal i emërimit të Peter Sorensenit u bë gjatë takimit të ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian.
Këshilli i BE-së ka precizuar se detyrat e Përfaqësuesit të ri Special do të jenë lehtësimi në dialog, i cili do të kontribuojë në një normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës dhe në veçanti zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksit të Zbatimit, të miratuar në shkurt, përkatësisht mars të vitit 2023.
Sorensen pritet të marrë detyrën me 1 shkurt, meqë emisarit në largim Miroslav Lajçak i skadon mandati më 31 janar të këtij viti.
Peter Sorensen do ketë mandat fillestar prej 13 muajsh.
(12:18) BE konfirmon, Peter Sorensen emisar për dialogun Kosovë-Serbi
Ministrat e Jashtëm të BE-së kanë konfirmuar emërimin e Peter Sorensenit për emisar të ardhshëm evropian për dialog.
Paraprakisht emërimin e tij e kanë miratuar ambasadorët e shteteve anëtare të BE-së.
Sorensen pritet të marrë detyrën me 1 shkurt, meqë emisarit në largim Miroslav Lajçak i skadon mandati më 31 janar të këtij viti.























