Dhurimi i gjakut, punëtorët e RTK-së iu përgjigjën kërkesës
Trendelina Ramadani/ RTK
Dhurimi i gjakut nga punëtorët e RTK-së tanimë është bërë traditë. Edhe këtë vit një numër i madh i punëtorëve iu përgjigjën kërkesës për të dhuruar gjak. Nga Transfuzioni i Gjakut thonë se kërkesat dhe nevojat janë të vazhdueshme për dhurim të gjakut.
Punëtorët e Radiotelevizionit të Kosovës edhe këtë herë kanë dhënë gjak në Transfuzionin e Gjakut. Nga ky institucion thanë se janë mirënjohës për këtë gjest human të punonjësve të mediumit publik.
Edhe drejtori i Televizionit në RTK, Rilind Gërvalla, u është bashkangjitur punonjësve për të dhuruar gjak.
“Edhe në të kaluarën, por edhe tani, bëjmë thirrje nga këtu që të gjithë qytetarët të angazhohen, sepse dhurimi i gjakut shpëton jetë”, tha Gervalla.
Gëzim Bimbashi nga Sindikata e Punëtorëve të RTK-së tha se nevoja për gjak ka ekzistuar dhe ekziston dhe se është gjithmonë e pranishme, andaj, shtoi ai, si sindikatë do të angazhohen në aksione të tjera në ndihmë të transfuzionit dhe të tërë personelit.
Bëhet e ditur se mbi 50 doza gjak dhuruan punëtorët e RTK-së, e nga ky institucion apeluan te qytetarët që të dhurojnë gjak, në mënyrë që të ketë doza të mjaftueshme për njerëzit me nevojë.























