Berisha: Opozita do të korrë fitoren më të madhe më 11 Maj|Video
BKT
Shqipëri

Berisha: Opozita do të korrë fitoren më të madhe më 11 Maj|Video

RTKlive/RTSH

Opozita shqiptare ka mbajtur një protestë kundër qeverisë, duke mbledhur mbështetës të shumtë para Kryeministrisë në Trranë. Rreth 1 mijë efektivë blu monitoruan dhe menaxhuan tubimin e thirrur nga kryedemokrati Sali Berisha. Protesta erdhi pas akuzave të ngritura nga ish-zëvendëskryeministri në arrati, Arben Ahmetaj, i cili ka aluduar se njerëz të pushtetshëm në qeveri kanë lidhje korruptive dhe me botën e krimit.

Në protestën para Kryeministrisë, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, theksoi se kauza e opozitës për të zëvendësuar qeverinë aktuale është e duhura dhe në interesin më të mirë të Shqipërisë.

Mbështetës të shumtë të demokratëve qëndruan mbledhur para selisë qeveritare, ndërsa Berisha u shpreh i bindur për një fitore politike në zgjedhjet parlamentare të radhës. Këtë mesazh besimi ai tha se do t'ua përçojë edhe shqiptarëve në diasporë, më së shpejti në Romë, që ai do e vizitojë të dielën.

"Vetëm një vit më parë, në shkurtin e kaluar, ne ishim këtu në shesh në protestën e 20 shkurtit. Lideri i opozitës ishte i arrestuar në kundërshtim me ligjin, në kundërshtim me Kushtetutën. Dhe unë, fjalën time e mbajta nga një ekran televiziv, i burgosur politik. Por në atë protestë ne hodhëm themelet e çdo fitoreje që meritojmë dhe që do kemi. Në atë protestë ne u dëshmuam shqiptarëve se nga hiri u ngritëm si Feniksi dhe se ata që menduan se do na mposhtin ne, dështuan me turp. Ne jemi të pamposhtur! Sot kemi vulë dhe flamur. Sot jemi më të bashkuar se kurrë. Sot, me tre rezoluta ndërkombëtare, jemi forca politike më e përkrahur. Sot, jemi në këmbë më të vendosur se kurrë në betejë me diktaturën. Do fitojmë! Historia e deshi që ne të jemi e vetmja forcë politike që përmbys dy diktatura njëra pas tjetrës. Diktaturën staliniste të Enver Hoxhës dhe narkodiktaturën e bastardit të bllokut komunist, Edi Ramës”, ka theksuar ai.

Berisha theksoi se fitoret e arritura deri tash, janë arritur në kushtet më të jashtëzakonshme.

“Kurse tani që presidenti Donald Trump i ka prerë gjarprit në Uashington,  Xhorxh Soros, e kuptoni ju apo jo çfarë do të thotë kjo. Era e desorosizimit, flladi i tij nga Uashingtoni po fryn në gjithë botën. Ju garantoj ju se nuk fiton kush më shumë nga kjo se shqiptarët, pasi u shndërruan në kopshtin eksperimental të dogmës, jo të Oruellit, por të Sorosit. Pra, edhe ne kemi programin tonë të desorofikimit të vendit, të rivendosjes në piedestal të familjes, vlerave të saj, të besimit tek Zoti, të interesit kombëtar. Shqipërinë e bëjnë shqiptarët dhe shqiptarët patriotë, atdhetarë" deklaroi Berisha.

Sipas tij, që Shqipëria të mbetet pa opozitë, ky është një skenar i mirëmenduar nga kryeministri Rama.

"Kryetari i PD u vendos në arrest shtëpie me urdhër të Edi Ramës. Me urdhër të Edi Ramës, ish-presidenti i vendit u zvarrit, u godit në mes të rrugës dhe u filmua, duke menduar ky kriminel se do tmerronte opozitën. Me urdhër të Edi Ramës, me mbështetjen e monstrës së njerëzimit Xhorxh Soros, deputeti ynë i ri, Ervin Salianji, martir i gjallë i fjalës së lirë, u burgos sepse u përball dhëmb për dhëmb me klanin mafioz më të rrezikshëm të Shqipërisë, Ballkanit, Europës, klanin Rama-Xhafaj. Menduan se do të na trembnin. Por gabuan rëndë", tha kryetari i PD-së.

Berisha përsëriti pjesë nga programi politik i demokratëve.

"Ja ku jemi këtu dhe i themi çdo pensionisti se kurrë pas 11 majit, asnjë prej jush nuk do ketë më pak se 200 euro në muaj. Jo vetëm kaq, por çdo njeri prej jush do ketë kartën e konsumatorit për t’u kthyer TVSH-në, e cila është e barabartë me tre pensione. Ne u premtojmë të gjithë punëtorëve me rrogë të ulët, se në Shqipëri pas 11 majit, brenda 3 muajsh, nuk do ketë rrogë nën 500 euro. Dhe se ky do jetë pragu me të cilin do ecim drejt rrogës minimale më të lartë më rajon. Brenda vitit, rroga mesatare do jetë 1200 euro. Miqtë e mi, ne jemi parti e taksave të ulëta. I garantoj bizneset e vogla se pas 11 majit, së pari do përgjysmohen, së dyti do ecet me shpejtësi drejt një të pestës së tyre. Energjia, që sot ato e paguajnë 18 deri 24 lekë, do jetë 3.2 herë më e ulët. Do jetë 7 lekë. Tarifat e sipërfaqeve të sipërmarrjeve të bizneseve do pjesëtohen me tre. Do ulen tre herë. Taksa e sheshtë 10 për qind për bizneset e tjera është zotimi ynë", theksoi Berisha.

Ndërsa, tre punonjës policie kanë mbetur të lënduar gjatë protestës së Partisë Demokratike para Kryeministrisë, ku militantët qëlluan edhe me kapsolle. Tre efektivët janë shtruar në spital dhe po marrin ndihmë mjekësore, raportojnë mediat shqiptare.

sipas tyre, një efektive pësoi dëmtime në sy, ndërsa dy punonjës të tjerë kanë pësuar lëndime në fytyrë dhe dorë. Tre policët u vizituan në spital nga drejtori i Policisë së Tiranës, Elton Alushi dhe Zëvendësdrejtori i Rendit

“Sot në mbrëmje, gjatë protestës së thirrur dhe organizuar nga subjekti politik Partia Demokratike, e mbajtur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Tiranë, si pasojë e hedhjes së lëndëve piroteknike drejt punonjësve të Policisë, të vendosur me shërbim para selisë së Kryeministrisë, janë lënduar tre punonjës të Policisë së Shtetit. Një efektive pësoi dëmtime në sy, ndërsa dy punonjës të tjerë kanë pësuar lëndime në fytyrë dhe dorë. Punonjësit e Policisë janë shoqëruar menjëherë për marrjen e ndihmës së nevojshme në spital dhe ndodhen nën kujdesin e specializuar të mjekëve”, njofton policia.

Ndërkohë, Policia e Tiranës njofton se po mblidhen të gjitha të provat dhe pamjet filmike për të identifikuar dhe përballur me drejtësinë autorët që dëmtuan efektivët.

“Ndërkohë, shërbimet e Policisë së Shtetit po grumbullojnë të gjitha provat dhe pamjet filmike, për të identifikuar dhe përballur me drejtësinë autorët që dëmtuan punonjësit e Policisë, të planëzuar sipas planit të masave për mbarëvajtjen e tubimit të opozitës. Drejtori i DVP Tiranë, Drejtues Elton Alushi, dhe Zëvendësdrejtori i Rendit kanë vizituar punonjësit e lënduar në ambientet e spitalit, duke u siguruar që ata të marrin çdo ndihmë të nevojshme, në bashkëpunim me stafin mjekësor”, njofton policia.

Parpara nisjes se protestës, kryeministri Edi Rama shpërndau një postim rrjetin social “X”.

Ai shkruant se “vetëm duke e braktisur kënetën e bufit stërplak, demokratët do të krijojnë hapësirë për rilindjen e një opozite politike të denjë për Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian, përndryshe humbjet vetëm do të thellohen edhe përtej 11 majit, kur protestuesit e sotëm do të jo vetëm të humbur për të dhjetën herë radhazi, po edhe me diferencën më të thellë me Partinë Socialiste, qysh nga viti 2013”.


MË SHUME NGA Shqipëri