Kosova voton sot
BKT
Foto arkiv| RTKlive
Lajme

Kosova voton sot

A.B|RTKlive

Janë hapur qendrat e votimit nëpër pikat e vendvotimeve në Kosovë.

Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka votuar në qendrën e votimit në shkollën fillore “Lidhja e Prizrenit” në Pejë.

Kosova voton sot|LIVE

Qytetarët e Republikës së Kosovës sot do të ushtrojnë të drejtën e votës – në zgjedhjet e para të rregullta parlamentare që prej shpalljes së pavarësisë më 2008. Numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve,  është 1 milion e 970 mijë e 944 votues.

Për herë të parë do të votojnë 125 mijë e 852 votues. Ndërmjet dy proceseve zgjedhore,  këta shtetas të Kosovës kanë mbushur 18 vjeç sipas të dhënave të KQZ në listat e votuesve.

Numri i qendrave të votimit të cilat do të hapen të dielën e 9 shkurtit është 941, prej të cilave 903 për votimin e rregullt me gjithsej 2,533 vendvotime dhe 38 qendra të votimit për votimin me kusht (nga një për çdo komunë) me gjithsej 56 vendvotime.

Numri i qytetarëve me të drejtë vote, emrat e të cilëve janë të shpërndarë në 903 qendra të votimit apo në 2,533 vendvotimet e tyre, është: 1,970,944.

Sipas vendimit të KQZ-së, numri i përgjithshëm i anëtarëve që do të angazhohen në 2,533 Këshillat e Vendvotimeve të rregullta është më shumë se 12 mijë, ndërkaq, ndërkaq më shumë se 200 anëtarë do të angazhohen në 56 Këshillat e Vendvotimit në të cilat do të zhvillohet votimi me kusht.

Rikujtojmë se ligji i ri për Zgjedhjet e Përgjithshme ka ndryshuar edhe aspektin e numërimit të fletëvotimeve. Në ditën e zgjedhjeve, në vendvotime do të numërohet vetëm pjesa e fletëvotimit ku qytetarët kanë votuar për subjektet politike. Kjo ia mundëson KQZ-së që brenda një kohe të shpejtë të publikojë rezultatet preliminare për subjektet politike.

Një ditë më pas, për dallim nga zgjedhjet e kaluara, në Qendra Komunale të Numërimit, do të fillojë numërimi i pjesës tjetër të fletëvotimit, pra vota për kandidatët për deputetë.

Gjatë proceseve zgjedhore, në çdo komunë dhe kryesisht në palestra sportive, KQZ ka caktuar Qendrat Komunale të Numërimit.


MË SHUME NGA Lajme