TI: Shqipëria shënon përmirësime në indeksin botëror të korrupsionit
RTKlive
Organizata “Transparency International” thotë se fatkeqësisht, këtë vit “Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit”, një raport vjetor që publikohet nga organizata, nuk paraqet një pamje të mirë në mbarë botën.
Nga 190 vende ku ka mbledhur të dhëna, vetëm 19 vende kanë shënuar përmirësime apo vetëm 10% e vendeve të botës. Kolegu Artan Haraqija bisedoi me Ekspertja e “Transparency International, Lidija Prokiç, në një intervistë për Zërin e Amerikës ka thënë se në Ballkan, ndërsa Serbia, Bosnja dhe Maqedonia e Veriut kanë shënuar përkeqësim, Shqipëria dhe Kosova, sipas saj kanë shënuar përmirësim.
Prokiç thotë se në rastin e Shqipërisë është e rëndësishme të përmendet se Indeksi për Perceptimin e Korrupsionit mbështetet tek tetë vlerësime të pavarura, mbi të cilat llogaritet indeksi, si një vlerë që bën përmbledhjen e këtyre vlerësimeve në një rezultat të vetëm.
“Ky përmirësim është i dukshëm në disa nga këto burime. Por dëshiroj të them se, ekziston një burim, një bazë e të dhënave nga Forumi Ekonomik Botëror që ka nxitur këtë përmirësim. Sa i përket zhvillimeve në Shqipëri dhe luftës kundër korrupsionit, do të thosha se po shohim një efekt paksa të vonuar të reformës në sektorin e drejtësisë dhe sipas vlerësimit tonë, reflektohet më së shumti, pavarësia dhe integriteti i përmirësuar i institucioneve të drejtësisë, në veçanti SPAK-u dhe gjykata speciale kundër korrupsionit”, ka thënë, për Zërin e Amerikës, Lidija Prokiç pos tjerash.























